Talenti shqiptar gati për vizitat mjekësore, Luis Hasa drejt Napolit
07 janar 2025
| 16:54
Luis Hasa është gati të bëhet lojtar i ri i Napolit. Ish-mesfushori i Juventusit, i cili është në pronësi të Lecces, pritet që në orët e ardhshme t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore.
Futbollisti shqiptar nuk gjeti hapësirë te Lecce, ku u aktivizua në fushë vetëm një herë, bëhet fjalë për 24 shtatorin e kaluar, në Kupën e Italisë në Via del Mare kundër Sassuolos (0-2).
Ai ndiqej prej kohësh nga Napoli dhe më në fund transferimi po kryhet, me palët që janë të lumtura për akordin. Te Lecce, talenti i njohur nuk ishte në planet e trajnerit Giampaolo dhe largimi ishte zgjidhja më e mirë e mundshme.
Hasa ka luajtur në ekipet kombëtare të të rinjve të Italisë, duke bërë tre paraqitje për U-21 deri më tani, raporton BalkanWeb.