Talibanët kërkojnë zotime nga burrat për zbatimin e Sheriatit
Talibanët kanë urdhëruar mësuesit dhe nxënësit e shkollave të mesme në provincën jugore Kandahar që të nënshkruajnë një zotim që do të veprojnë në përputhje me interpretimin ekstremist që i bëjnë talibanët ligjit fetar – Sheriatit.
Aty përfshihet rregulli strikt i talibanëve për dukjen e burrave, përfshirë rritjen e mjekrës, vendosjen e turbanit, dhe veshjen e një bluze të gjatë me pantallona, veshje e shpeshtë nëpër pjesët rurale të Afganistanit.
Nëse dikush nuk i përmbush këto zotime – të cilat i ka parë në dokument Radio Evropa e Lirë – atëherë nxënësit mund të dëbohen nga shkolla dhe mësuesit mund të humbin vendet e punës, sipas banorëve lokalë.
“Unë… i biri i … zotohem se do të ndjek synetin e profetit Muhamed dhe të gjitha parimet e ligjit të Sheriatit”, është betimi që duhet të bëjnë djemtë që vijojnë shkollat e mesme në Kandahar.
Suneti është koncept islamik që parasheh veprimin sipas mësimeve të Muhamedit.
Kurani dhe sunetet janë baza e Ligjit të Sheriatit.
Urdhri i talibanëve që mësuesit dhe nxënësit prej klasës së nëntë e tutje të nënshkruajnë këtë zotim, është kritikuar ashpër.
“Ky është hap joracional dhe nuk duhet të inkurajohet”, ka thënë një nxënës i shkollës së mesme në Kandahar, i cili nuk ka dashur të identifikohet, teksa është deklaruar për Radion Evropa e Lirë.
“Dua që talibanët të ndalen nga kufizimi i të drejtave tona”.
“Ata duhet të ndalen nga imponimi i këtyre ideve ekstremiste”, ka thënë një tjetër nxënës i shkollës së mesme, i cili ka deklaruar se është detyruar të nënshkruajë zotimin.
Një tjetër student i ka thënë Radios Evropa e Lirë se talibanët janë “shumë të ashpër” ndaj atyre që refuzojnë të nënshkruajnë zotimin, apo që e shkelin atë, por pa ofruar më shumë hollësi.
Departamenti i talibanëve për edukim në Kandahar dhe zëdhënësi i Ministrisë së Edukimit në Kabul, nuk u janë përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të komentuar këtë dokument.
Ky urdhër përbën tentimin e fundit të talibanëve që të kenë kontroll mbi paraqitjet e burrave dhe grave afgane në publik.
Prej kur talibanët janë kthyer në pushtet, në gusht të vitit 2021, talibanët u kanë kërkuar burrave që të rrisin mjekrat dhe të vishen me rroba tradicionale, nëse dëshirojnë të vazhdojnë punën.
Në disa zona, burrat janë detyruar të shkojnë nëpër xhami.
Në disa pjesë të Afganistanit, talibanët kanë ndaluar stilin perëndimor të veshjeve dhe qethjeve të flokut.
Militantët po ashtu kanë ndarë burrat nga gratë nëpër shkolla, universitete, spitale, zyra qeveritare dhe transportin publik.
Çiftet që hanë nëpër restorante shpesh merren në pyetje dhe poshtërohen nga Policia e talibanëve për Moral.
Në muajin shtator, punëtorët e Ministrisë së Financave kanë testuar njohuritë e tyre për Islamin.
Burime të Radios Evropa e Lirë kanë thënë se Ministria ka përgatitur dokumente në formë libri për qasjen e talibanëve ndaj Islamit dhe më pas punëtorët i ka testuar, për të kuptuar nëse ata janë në linjë me kërkesat e parashtruara.
Punëtorët që nuk kanë dhënë përgjigjet e sakta, janë dëbuar nga puna.
Në qershor të këtij viti, talibanët kanë tentuar të vendosin rregulla edhe mbi mënyrë si mund të ushtrohen dhe trajnojnë profesionistët e palestrës.
Sportistët kanë kritikuar talibanët pse u kanë kërkuar që të mbulohen gjatë garave apo kur ushtrojnë në ambiente të mbyllura.
Gratë i kanë vuajtur më së shumti tentimet e talibanëve për të caktuar rregulla në paraqitjet e tyre.
Talibanët kanë miratuar kod të ashpër të veshjes që parasheh se gratë duhet të mbulojnë gjithë trupin – përfshirë fytyrën – kur të dalin në publik.
Atyre po ashtu u janë kufizuar të drejtat për të punuar, për të ecur lirshëm rrugëve dhe për t’u shkolluar.
Shumë prej rregullave të talibanëve kthejnë në kujtesë herën e parë kur ata kanë qenë në pushtet, nga viti 1996 deri më 2001, kur regjimi i tyre ua ka pamundësuar afganëve dhe të drejtat më elementare. /REL/