Talibanët marrin nën kontroll edhe një qytet strategjik
Talibanët e kanë marrë nën kontroll qytetin kyç afgan, Pul-eKhumri, 225 kilometra në veri të kryeqytetit Kabul, duke siguruar kontrollim të rrugës strategjike që e lidh Kabulin me veriun dhe perëndimin e vendit, thanë zyrtarët lokalë dhe militantët.
Dy zyrtarë i thanë gazetës “The Guardian” se qyteti ra në duart e talibanëve pas luftimeve të ashpra të së martës. Zyrtarët dhe forcat qeveritare u detyruan që t’i braktisnin bazat e tyre, transmeton Gazeta Express.
“Pul-e-Khumri u mor nga talibanët, ata janë gjithkund”, tha një zyrtarë gjatë një bisede telefonike, gjatë së cilës dëgjoheshin të shtëna të shumta.
Për fitoren e talibanëve pretendoi edhe një zëdhënës i tyre në rrjetet sociale. Pamjet e publikuara në internet tregonin flamuj të talibanëve në portat e qytetit dhe luftëtarë brenda tij.
Nëse vërtetohet, Pul-e-Khumri do të ishte i teti nga 34 kryeqytetet provinciale që merren nën kontroll nga talibanët për më pak se një javë.
Kjo do të ishte goditje masive për qeverinë afgane, duke i vënë në rrezik edhe qytetet tjera veriore, të cilat tash për tash nuk janë nën kontrollin e talibanëve.
Ndërkohë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se talibanët duhet të luftojnë për veten dhe për vendin e tyre, ndonëse ShBA-ja vazhdon të ofrojë ndihmë ajrore, ushqime, pajisje dhe paga për forcat afgane.