Talibanët nuk janë të gatshëm për bisedime me Kabulin
Talibanët nuk janë të gatshëm të bisedojnë me qeverinë afgane, ka thënë një pjesëtar i grupit militant gjatë bisedimeve në Moskë.
Një delegacion i talibanëve mori pjesë të premten në një konferencë diplomatike në Rusi për herë të parë, por qeveria afgane nuk dërgoi asnjë përfaqësues zyrtar dhe palët nuk raportuan për përparim.
Në fund të bisedimeve në kryeqytetin rus, Sher Mohammad Abbas Stanakzai, i cili udhëhoqi delegacionin taliban, ka deklaruar se militantët nuk janë të gatshëm të bisedojnë për paqe me Kabulin, porse do të negociojnë me Shtetet e Bashkuara.
Në hapje të takimit më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se shpreson të ketë “përpjekje të reja të përbashkëta për të hapur një faqe të re në historinë e Afganistanit”.
Lufta në Afganistan ka pasuar pushtimin amerikan të këtij vendi, pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001, në SHBA.
Nisma ruse për të organizuar një konferencë të ngjashme në shtator ka dështuar, sepse autoritetet afgane kanë refuzuar të marrin pjesë.
Këtë herë, Qeveria afgane dërgoi vetëm pjesëtarë të Këshillit të Lartë për Paqe, i emëruar nga qeveria./rel/