Talibanët paralajmërojnë sulme të reja në Kabul
Talibanët kanë kërkuar nga banorët e Kabulit të qëndrojnë larg “qendrave ushtarake”, duke paralajmëruar se do të kryejnë sulme të reja në kryeqytetin afgan.
Në një deklaratë “online”, militantët kanë theksuar se sulmet e ardhshme mbi “qendrat e inteligjencës dhe ushtrisë së armikut” do të jenë pjesë e ofensivës pranverore.
“Me qëllim që të shmangen viktimat civile dhe t’i shkaktohen dëme vetëm ushtrisë së armikut, u kërkojmë banorëve të Kabulit të qëndrojnë larg. Ne nuk duam që të vritet asnjë civil i pafajshëm”, është thënë në deklaratën e talibanëve.
Kjo deklaratë nuk qartëson se çfarë saktësisht nënkuptojnë “qendrat e ushtrisë dhe të inteligjencës”, raporton “Rel”.
Talibanët i kanë intensifikuar sulmet duke kundërshtuar dukshëm thirrjet për ta që të pranojnë ofertën e Qeverisë afgane për bisedimet e paqes.
Talibanët dhe grupi ekstremist Shteti Islamik kanë kryer një seri sulmesh masive në Kabul gjatë muajve të fundit.