Talibanët sulmojnë me raketa Aeroportin e Kandaharit
Aeroporti i Kandaharit, në jug të Afganistanit, gjatë natës është sulmuar me raketa, teksa forcat qeveritare afgane po vazhdojnë betejën kundër militantëve talibanë të cilët kanë avancuar drejt tri qyteteve të mëdha.
Më 1 gusht, talibanët thanë se sulmi në Aeroportin e Kandaharit kishte për qëllim që të ndaleshin sulmet ajrore, teksa ofensiva njëjavore e militantëve po vazhdon në qytetin e dytë më të madh të Afganistanit.
Zyrtarët e aeroportit thanë se sulmi me raketa ka dëmtuar pistën dhe ka ndaluar fluturimet, por ekipet e riparimit tashmë kanë filluar punën, në mënyrë që të rinisin fluturimet.
“Natën e kaluar, tri raketa u hodhën në aeroport, ku dy prej tyre goditën pistën”, tha për AFP-në shefi i aeroportit, Masud Pashtun.
“Për shkak të kësaj, të cilat fluturimet janë anuluar”, shtoi ai.
Aeroporti është thelbësor për mbështetjen logjistike dhe ajrore për Kandaharin.
Forcat e sigurisë kombëtare janë të fokusuara në mbajtjen nën kontroll të zonave të populluara teksa militantët talibanë po marrin nën kontroll qarqet përreth qyteteve. Talibanët nisën ofensivën e tyre që prej se forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, në maj nisën tërheqjen nga Afganistani. Sulmi në Aeroportin e Kandaharit vjen në kohën kur militantët talibanë po luftojnë në dhe përreth dy qyteteve të mëdha afgane – Herat në perëndim dhe Lashkar Gah në jug të Afganistanit.
Fati i tri kryeqyteteve provinciale mund të jetë kyç nëse qeveria në Kabul do të mbajë nën kontroll qytetet e mëdha dhe shumicën e territorit të vendit pa ndihmën e trupave ndërkombëtare, të cilat kanë luftuar me talibanët për dy dekada.
Talibanët raportohet se kanë marrë nën kontroll gjysmën e qarqeve të vendit dhe disa pikëkalime kyçe kufitare.
Forcat qeveritare dhe talibanët kanë zhvilluar luftime edhe më 31 korrik në Herat, vetëm një ditë pasi militantët tentuan që të marrin nën kontroll një rrugë në afërsi të aeroportit.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid i tha Radios Azadi më 31 korrik se përparimi i talibanëve në Herat ishte përgjigje ndaj sulmeve të forcave qeveritare dhe milicive pro-qeveritare ndaj talibanëve.
Guvernatori i provincës së Heratit, Abdul Sabur Qani, tha se kanë arritur të largojnë talibanët nga kryeqyteti provincial, duke shtuar se 200 luftëtarë talibanë janë vrarë “në sulmet ajrore dhe operacionet në tokë” teksa kanë tentuar që të hyjnë në Herat./rel/