Talibanët vrasin 14 pjesëtarë të forcave qeveritare
Militantët talibanë kanë vrarë të paktën 14 anëtarë të një milicie pro-qeveritare në Afganistan, njoftuan autoritetet zyrtare.
Zyrtarët e qeverisë thanë se gjatë përleshjeve në provincën perëndimore të Heratit u plagosën edhe disa civilë.
Talibanët nuk i kanë komentuar ende këto raportime.
Incidenti ndodhi në kohën kur SHBA-ja po negocion me talibanët arritjen e një marrëveshjeje, që do t’i jepte fund luftës afro 18-vjeçare afgane.
Pak detaje dihen deri më tash për negociatat, por një marrëveshje mes SHBA-së dhe talibanëve do të përfshijë tërheqjen e forcave të huaja nga Afganistani, në këmbim të garancive nga talibanët, se vendi nuk do të bëhej strehë për grupet e tjera ekstremiste.
Një marrëveshje e tillë do të pasohej nga negociatat paqësore brenda Afganistanit për një zgjidhje politike, dhe një armëpushim të përhershëm.
Shtetet e Bashkuara përfunduan zyrtarisht misionin e saj luftarak në Afganistan në vitin 2014, por rreth 14.000 trupa amerikane mbeten në vend, kryesisht duke trajnuar dhe këshilluar forcat qeveritare që luftojnë me talibanët, mbështetësit e grupit ekstremist Shteti Islamik dhe militantë të tjerë./rel/