Tam – Tamet e Qeverisë dhe “Val d’Agri” ynë i braktisur nga kompania Shell!

17 janar 2025 | 12:31

Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

Para dy muajësh, dikush shkruante këto pak rreshta, në anglisht dhe në shqip, në portalin e tij Linkedin:
SHPIRAG exploration phase and appraisal phase for OIL & GAS on dispatch!
Fatkeqësisht ndaloi! Nuk ka më veprimtari kërkimore të naftës dhe gazit në SHPIRAG. Çdo gjë bosh. E braktisur. Madje as roje nuk kishte!
Sadly over. No more exploration operations for oil and gas in SHPIRAG. Abandoned with no surveillance!
Kush do jetë “Luga Bosh e Radhës për Shqiptarët”?

Zbulimi në strukturën e Shpiragut u deklarua zyrtarisht nga Kompania Oxidental Petroleum, (OXY), me pusin Shpiragu–1 në vitin 2001. Kanë kaluar 24 vite dhe në 16 vitet e fundit, Shpiragu, është operuar nga Kompania Shell. Kjo e fundit dhe Petromanas para saj, faktikisht, kanë marrë me konҫesion një shtratim nafte/gazi të lokalizuar nga specialistët tanë që e zbuloi OXY dhe jo një fushë të re kërkimi, por kontrata e nënshkruar me qeverinë nuk është bërë kurrë publike. Në këtë periudhë kohore të tejzgjatur, janë shpuar vetëm 4 puse, ku 3 prej tyre, Shpiragu–2, 4, 5 janë testuar me naftë/gaz dhe Shpiragu–3 u ndërpre për arsye teknike. Puset Shpiragu 1, 2, 4, thuajse janë dublor me njëri tjetrin dhe me Shpiragun–5, rreth 1 km në veriperëndim, nuk krijojn sipërfaqe të sigurtë për të shpuar puse vlerësim-shfrytëzimi apo për llogaritje rezervash. Prandaj që nga ajo kohë ky grumbullim mbeti prapë i tillë, i panjohur, as u konturua dhe as u vlerësua komercialiteti i tij, për t’u ngritur në kategorinë e një vendburimi dhe të vihej në shfrytëzim.

Shell-i gjithë kohën përdori vetëm një sondë. Kjo nënkupton se ai nuk e ka vlerësuar me shumë interes këtë zbulim, ndryshe do të kishte përdorur një projekt agresiv konturim-vlerësimi me më shumë se një sondë. Në praktikën tonë, pusi i parë që zbulon shtratimin, i nënshtrohet studimit eksperimental dhe menjëherë vihet në shfrytëzim me regjim optimal. Ndërkohë bazuar në këto të dhëna, për konturimin paraprak projektohen dhe shpohen njëherësh 3-4 puse. Të ardhurat investohen për konturim-vlerësimin e shtratimit dhe kështu shkurtohet koha e vënies tij në shfrytëzim. Mirëpo Shell-i nuk aplikoj as njërën dhe as tjetrën. Në debatet televizive janë hedhur ide, se shtratimi nuk duhet shfrytëzuar me një apo dy puse, sepse krijon efekte negative në lëvizjen e fluideve në rezervuar. Në një shtratim masiv në gëlqeror, me kat të madh naftëgazmbajtës, siҫ pretendohet, depresioni i shfrytëzimit me thellësinë gradualisht shuhet dhe influenca e tij deri në nivelin e kontaktit gaz-naftë apo naftë-ujë bëhet e papërfillshme.

Gjatë gjithë ecurisë së punimeve që Shell-i kryente në këtë grumbullim, por sidomos pranë apo pas ҫdo rezultati dhe kur qeveria gjëndej në situata të rënda për shkak të korrupsionit në radhët e saj ose në periudha zgjedhjesh apo kur specialistët shkruanin mbi vjedhjen marramendëse disa vjeҫare të pasurive natyrore hidrokarbure dhe minerale të zbuluara, k/ministri Rama dhe zëvëndësja e tij, zonja Balluku, me beniaminët pseudo-specialistë nga ministria në Albpetrol, zhvillonin propogandën e tyre politike të shëmtuar, plotë me mashtrime dhe gënjeshtra, me qëllim mbajtjen e pushtetit, kurse kompania heshte dhe nuk bënte asnjëherë publike, në aspektin shkencor, interpretimin e rezultateve në ecuri.
Zv/kryeministrja deklaronte se “Janë lajme që nuk i mbajmë dot dhe mos t’i ndajmë me të tjerët, etj.”, por në fakt s’kishte lajm të ri se shtratimi ishte zbuluar qysh në vitin 2001 nga OXY, kurse të tjerat ishin vetëm propogandë! Inervistat publike të k/ministrit me lugën boshë u përhapën gjithandej, arritën kulmin, nga një qytet në tjetrin, në gjithë Shqipërinë, në takimet e tij me kryetarë shtetesh apo në institucionet Evropiane dhe deri në New York. Shpiragu ynë u bë lajmi kryesor i ditës, u kthye në legjendë, do n’a shpëtonte jo vetëm ne nga kriza energjitike por edhe rajonin. Shkruan pa pushim mediat tona dhe ato prestigjoze ndërkombëtare, buҫisnin ekranet e TV-ve me lajme të rreme dhe intervista me gazetarë zhurmues apo analistë partiakë të selektuar, që i financon qeveria. Rrallë herë ftohej midis tyre ndonjë specialist i fushës për të diskutuar mbi eksperiencën tonë në kërkim–prodhimin e naftës/gazit dhe të shpjegonte të vërtetën se ҫ’farë pritej në Shpirag, por ishte e pamundur sepse të mbytnin servilat zhurmues me propogandën e tyre bajate.

Zbulimi propogandohej herë si “det i madh nafte”, herë si “një arterie e rëndësishme nafte dhe gazi; me disa mijra fuҫi/ditë . . . disa qindra–mijra-milion ton/vit”. Predikohej si një gjigand, e krahasonin me Val d’Agrin në Itali, me Arabinë Saudite, . . . me naftën premium të saj, . . hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë, etj. Tellallët flisnin me zell për rezultatet, eksperiencën, reputacionin e Shell-it në kërkime, për pikat e karburanteve në botë dhe se ardhja e tij me investime në Shqipëri ishte një fat i madh për ne, etj. Por vonesatë apo vështirësitë në shpimin dhe testimin e puseve i justifikonin me “gurin gëlqeror dhe thyerjen e kokave të pompës, kokat e sondës” apo “thyerja e përsëritur e sondave si rezultat i formacionit gjeologjik”, etj. Pastaj, vazhdonin me teknologjinë që do nxirrte rezervën nga nëntoka, për Fondin Sovran me njerëz të shquar apo ekspertë të huaj të ekonomisë dhe financave apo që do ishte jashtë buxhetit shtetit dhe do zhdukte fukarallëkun e pensionistëve, etj., përralla me lugën boshë por edhe për të krijuar ndonjë variant të sofistikuar korrupsioni.

K/ministri, me propogandën e tij i mohoi gjithë pasuritë minerare të zbuluara, i cilësoi të “shfrytëzuara . . . burime modeste, të keq-përdorura, . . . keq-shfrytëzuara”, me nafta të rënda bituminoze, squfurore, por flitet se nafta në Shpirag përmban 8–16% squfur. Rafinerinë në Ballsh e quante teknologji të vjetër, të degraduar, etj. Gjithë këto mashtrime kishin si qëllim për të ligjëruar dhe larguar vëmëndjen e publikut apo naftëtarëve mbi korrupsionin, shfrytëzimin barbar që po shkatërron plotësisht pasuritë natyrore dhe për të mbuluar gabimin e tij të rëndë që ҫoj për SKARP Uzinën e Përpunimit Thellë të Naftës Ballsh, vetëm për të kënaqur oligarkët e importit të karburanteve, ata të vendburimeve që refuzonin t’a furnizonin atë me naftë bruto dhe “investitorët” oligarkë të fshehur pas saj që kërkonin paratë.

Analizat e mia mbi Shpiragun dhe Shell-in, bazohen në ecurinë e kërkim-prodhimit në vendburimet tona, krahasuar edhe me atë në disa basene gjeologjike ku kamë punuar. Qëllimi im është që të shpjegoj se ҫ’përfaqëson ky zbulim, sa të interesuara janë kompanitë e huaja të investojn në të tilla shtratime por jo të mohoj naftëgazmbajtjen e Shpiragut dhe ky nuk më rezulton që të jetë si Val d’Agri në Itali. Mirëpo, dy drejtuesitë e qeverisë dhe specialistët mediokër pranë tyre deri në Albpetrol, “helmuan” publikun me mashtrime mbi këtë zbulim, ndërkohë që Shell-i nuk bëri kurrë transparencë mbi rezultatet e konturim–vlerësimit në këtë shtratim. Ishte qeveria ajo që me gënjeshtrat e saj avancoi aq shumë para rezultateve konkrete apo pritëshmërive dhe dështoi plotësisht. Pra, me injorancën e saj ajo e përdori mirë Shpiragun për propogandë politike, që të trashgoj sa më gjatë karriken e pushtetit të korruptuar.

E kamë theksuar se kompanitë e huaja serioze nuk investojn më për kërkimin e naftës/gazit në teritorin tonë, sepse sistemi politik i korruptuar nuk i favorizon ato, nuk është zgjidhur me ligj pronësia mbi tokën dhe të drejtën minerare, rrisku kërkimit dhe kosto e punimeve të tyre është e lartë, gjë që kërkon investime të mëdha, të cilat nuk mbulohen me sasinë e rezervave që mund të zbulohen dhe ato nuk kanë kapacitet shkencor për kërkim në zonat tektonike të rrudhosura gjeosinklinale, siҫ është teritori ynë. Nëse Shell-i do vazhdoj, me këtë ritëm si deri tani, për konturim-vlerësimin dhe vënien në shfrytëzim të këtij zbulimi do ti duhen pa frikë rreth 100 vite dhe me një kosto marramendëse, ku edhe fitimi i tij vihet në pikëpyetje!
Dështimin në kërkime e vërtetuan më së miri kompanitë Petromanas, Coparex, Sky Petroleum, OMV, OXY, etj., dhe tani Shell-i, megjithëse kontrata e nënshkruar me qeverinë favorizon vetëm atë. Shteti, nëse vlerësohej dhe vihej në shfrytëzim ky shtratim, do përfitonte vetëm ca thërrime nga kjo pasuri, një taksë minerare të reduktuar dhe vetëm 1% të prodhimit naftës. Shteti i fali gjithҫka këtyre kompanive edhe studimet tona, sepse fushat e reja që ato operuan ishin studiuar dhe përgatitur ndër vite nga specialistët e Institutit Naftës dhe ishin në pronësi të kompanisë shtetërore Albpetrol, për kërkim. Por ato prapë nuk arritën në sukses dhe nuk e panë të arsyeshme të sakrifikonin investimet e tyre për të vazhduar kërkimin e naftës/gazit në vendin tonë, sepse ka shtete me pasuri natyrore të mëdha që ju afrojn atyre fusha të reja për kërkim me kushte më të favorshme se ato që trajtova më sipër.

Shell-i, me sa duket nuk ka dorëzuar asnjë studim me konkluzionet përfundimtare dhe përspektivën në Shpirag, bazuar në rezultatet e punës disa vjeҫare në ato pak puse që shpoi. Këto janë detyrim kontraktor i shërbimit gjeologo–teknik për ҫdo kompani që ka aktivitet në një rajon. Shpresojë të ketë dorëzuar studimet e specialistëve të Institutit Naftës që i falën apo shitën servilat në institucionet tona dhe të dhënat e vrojtimeve gjeologjike, ato sizmike apo ato mbi kompletim-testimin e puseve të tij.

Edhe në zonën e shelfit detar, pas vitit 90’, erdhën disa kompani si AGIP, Deminex, Chevron, etj. Kryen punime sizmike me cilësi, bënë studime, shpuan disa puse kërkimi, por jo të gjithë i ҫuan deri në projekt që të kontrollonin strukturat perspektive. Gjatë testimit paraprak, nga të dhënat që ato dorëzuan, në disa shtresa është marrë gaz kondensat dhe naftë, disa të tjera me interes ato nuk i testuan se në atë kohë, institucionet tona filluan ti drejtonin militantë partie të paaftë, që ҫuan për të asistuar në sondat e shpimit specialistë mediokër, të pa përgjegjshëm që neglizhuan të vrojtonin cilësinë e punimeve gjatë aktivitetit të tyre operativ dhe studimor. Ato e shfrytëzuan momentin dhe nuk i vlerësuan shkencërisht këto rezultate dhe të investonin për të vazhduar më tej aktivitetin, por puset i konsideruan negativ, rezultatet jo komerciale dhe u larguan pa dhënë konkluzione të plota mbi perspektivën e kërkimit në ato blloqe. Pra, kompanitë e huaja të kërkimit në territorin tonë, si në det ashtu dhe në tokë, bënë një punë jo cilësore dhe jo shkencore duke e lënë prapë në mjergullë perspektivën e zbulimit të fushave me rezerva të reja.

Përvoja deri tani e kërkim–prodhimit për fusha të reja nafte dhe gazi me kompanitë konҫesionare, në teritorin tonë, në tokë dhe në det, tregon se ka dështuar plotësisht. Shell-i që operoi Shpiragun për disa vite, me kosto shumë të lartë dhe me një kontratë që i siguronte vetëm atij fitime financiare, nëse e vinte në shfrytëzim, nuk arriti prapë t’a konturonte dhe vlerësonte atë, për arsyet që i kamë trajtuar në disa shkrime. Po ashtu edhe një shtet serioz, jo ky i korruptuari, se ka të lehtë të bëjë kërkime në fusha të reja perspektive për naftë/gaz me investimet e tij. E vetmja mundësi për të bërë kërkime është vetë financimi i naftës, prandaj është emergjente rishtetëzimi vendburimeve ekzistuese që të sigurojn të ardhura për të investuar në kërkime. Në të kundërt, zbulimi fushave me rezerva të reja në Shqipëri do të mbetet vetëm një ëndërr për naftëtarët dhe popullin e varfër që pret të bëhet i pasur apo të hajë me “lugë floriri”!

Në momentin kur u hap lajmi se Shell-i, kishte kthyer majat nga thëmbrat, Ministria Energjitikës por edhe gazetarë apo ndonjë “specialist” pranë saj e përgënjeshtruan menjëherë atë. Megjithëse të mërzitur, se humbën benefitet, këta nëpër studio prapë tentojn të mashtrojn publikun duke i thurur lavde gjigandit Shell, por edhe viktimës tij tashmë të braktisur “gjigandit” Shpirag. Propoganda politike me gënjeshtra dhe mashtrime, për Shpiragun, u bë një sëmundje kronike e pashërueshme. Kudo shikonin ëndërra me Shell dhe Shpirag, por asnjë nuk fliste për dështimin e tij në konturim–vlerësimin e këtij shtratimi. Ja se si debatohet në një studio TV për Shell-in, për zbulimin në Shpirag dhe dëgjoni përgënjeshtrimin e qeverisë me tam-tamet e saj pas largimit të tij, linku: https://www.youtube.com/watch?v=Pn5NJ8sCbQM

Për mendimin tim Shell-i, u largua përgjithmonë, e braktisi “Val-d’Agrin” tonë, e mbylli historinë me Shpiragun, zhduku nga defterët milionat e investuara, la pas ca roje për reliket e tij në sheshin e pa ri-gjeneruar, i hodhi në lojë një shifër imagjinare rezervash prognozë gazetarëve dhe qeverisë që të vazhdojn debatin, por pa e kuptuar se herë pas here, këta i bëjnë reklamë këtij zbulimi në interes të kompanisë që t’a mbajë peng Shpiragun deri sa t’ja shesi ndonjë kompanie tjetër që të marrë parat e investuara. Pritej kjo, kështu luajn kompanitë e huaja me pasuritë natyrore në vendet e korruptuara. Kjo i intereson edhe qeverisë që të vazhdoj Tam-Tamet e propogandës për zgjedhjet elektorale, më pas presim për ndonjë zbulim të ri naftëgazmbajtës, siҫ e mbylli ajo përgënjeshtrimin e saj. Në fund të mandatit tjetër mbarojn kontratatë e qeverisë me oligarkët e saj në vendburimet ekzistuese. Kjo përkon me shkatërrimin e plotë të tyre dhe qeveria e më ka të lehtë që me një VKM ja u falë ato si pasuri pa vlerë, të keq-përdorura, të keq-shfrytëzuara, etj., “investitorëve aksionerë” që ka fshehur pas tyre. Me këtë klasë politike të korruptuar, kaq fitojm ne nga pasuria jonë. Kaq fituam dhe nga gazsjellësi TAP, vetëm ca roje tubacioni, asgjë tjetër se benefitet e tij i marrin politikanët, por fatkeqsisht rojet e Shell-it vetëm pak ditë qëndruan atje.
Atëherë, lind pyetja ҫ’farë duhet bërë me Shpiragun dhe cila është zgjidhja më e mirë?
– Qeveria menjëherë duhet të sqaroj me Kompaninë Shell, nëse është larguar apo do vazhdoj konturim-vlerësimin, nëse jo, ajo duhet të pezulloj ligjin mbi dhënien me konҫesion të Shpiragut apo fushatë tjera perspektive për kërkim-prodhimin e naftës/gazit, sepse nuk ka interes ekonomik edhe nëse ndryshohen termat e kontratës, që për mua janë skandaloze. Negociatorët e saj të përgjigjen ligjërisht për këto terma të sajuara që favorizojn vetëm Shell-in dhe mashtruan popullin lidhur me fitimet nga Shpiragu. Po ashtu, AKBN ka përgjegjësi direkte që ka lejuar shkeljen e afateve të kontratës! Nëse Shell-i kthehet, termat e saj me ndarje prodhimi duhet të rishikohen, njëlloj si i ka bota, si dhe afatet e punimeve në ҫdo etapë.
– Nëse Shell-i nuk vjenë më, qeveria ligjërisht duhet t’a detyroj atë që të deklaroj zyrtarisht largimin dhe t’i pezulloj kontratën, ndryshe ai do e mbajë peng Shpiragun deri sa t’ja shesë ndonjë kompanie tjetër përkundrejt investimit që ka bërë. Qeveria s’duhet t’a lejoj atë, se ai është operator që t’a zhvilloj këtë pasuri, por nëse ai e shikon pa interes investimin dhe largohet, këtë pasuri ai ja kthenë shtetit dhe s’ka të drejtë t’a shesi. Ky fenomen është bërë modë tek ne, në vendburimet e naftës/gazit, ku kompanitë konҫesionare i shfrytëzojn ato barbarisht aq sa duan, nuk i paguajnë detyrimet shtetit dhe largohen duke i shitur ato tek simotrat e tyre, si me qënë pronarë legjitim, marrinë paratë dhe largohen, kurse qeveria miraton transferimin e pasurisë tek konҫesionari tjetër, sepse midis tyre qëndron korrupsioni?
– Para se kompania Shell të prishë kontratën me qeverinë, duhet të kryej një studim integrues, kompleks gjeologo-gjeofizik, për këtë shtratim, me konkluzione dhe rekomandime bazuar në të dhënat faktike dhe rezultatet që ajo ka marrë gjatë aktivitetit të saj, ku të japi arsyet e largimit. Studimi të miratohet në instancat përgjegjëse, për të konfirmuar largimin. Bashkë me studimin, kompania e ka detyrim ligjor të dorëzoj gjithë të dhënat faktike gjeologo-teknike, punimet sizmike, studimet e saj dhe ato të specialistëve të Institutit Naftës, për Shpiragun, që qeveria ja ka dhënë falas, si dhe të ruajë konidencialitetin e tyre.
– Qeveria me specialistë ekspertë në fusha të ndryshme të analizojë zbatimin e kontratës së nënshkruar, shkeljet në termat e saj, vonesat sipas afateve të parashikuara për ҫdo etapë në konturim-vlerësimin e shtratimit deri mos vënien e tij në shfrytëzim dhe largimin parakohe. Të llogariten të gjitha humbjet dhe qeveria të ҫojë Shell-in në gjykatën ndërkombëtare që t’i paguajë sipas ligjit detyrimet shtetit tonë.
– Të formohet urgjentisht një grup modest studimor-drejtues për të vazhduar aktivitetin e punimeve në Shpirag, i përbër nga specialistë me eksperiencë, i cili të filloj me studimin gjeologjik, të hartoj projektin e konturim-prodhimit me afatet përkatëse, komercialitetin e shtratimit, etj. Ndërkohë të bëjë studimin eksperimental të puseve Shpiragu-1, 2, 4, 5 dhe nëse kanë interes ekonomik të vihen në shfrytëzim me regjim optimal. Ky grup të varet financiarisht nga Ministria Energjitikës dhe aktiviteti tij të miratohet prej saj, ndërsa të ardhurat që do sigurohen nga shfrytëzimi i puseve ekzistues apo ata në ecuri të depozitohen në një llogari të veҫantë dhe të përdoren vetëm për zhvillimin e vendburimit.
– Ky grup studimor-drejtues, modest me specialistë me përvojë, le të përbëj “qelizën” e krijimit të Institutit Shkencor të Naftës, pa të cilin nuk zbulohen dhe as shfrytëzohen pasuritë natyrore, prandaj kjo është një kërkesë e përsëritur disa herë pranë qeverive të heshtura. Nëse do kishim Institutin e Naftës, që politika e asgjesoi për interesat e saj, kërkimi në Shpirag, në Dumre dhe në fushatë tjera perspektive apo shkatërrimi vendburimeve të naftës/gazit s’do kishin këtë histori dështimesh që shoqërohet me humbje të mëdha, disa miliard Euro, s’do kishim as vjedhje, as korrupsion dhe as emigimin masiv.
– Gjeologjia e Shpiragut dhe gjithë teritorit tonë, përfshirë edhe shelfin detar, është e komplikuar dhe këtë duhet t’a studiojn vetëm specialistët tanë. Qeveritë të mos gënjejn vehten, as popullin, me konҫesionarët e huaj apo oligarkët e tyre shqiptarë, as me investitorët strategjik, se të gjithë njëlloj janë, i provuam në gjithë këto vite që se kanë idenë dhe humbëm. Kjo është arsyeja kryesore e dështimit në kërkime dhe pse ata i janë vërsulur vetëm vendburimeve të zbuluara nga specialistët tanë. Kemi specialistë me eksperiencë akoma, mbase të gatshëm për të kontribuar me studime dhe të transmetojn eksperiencën e tyre tek specialistët e rinj. Kështu si ne e kanë pësuar disa shtete në ballkan dhe gjetkë që privatizuan naftën.
– Qeveria, me një grup specialistësh ekspertë, të analizoj konҫesionet në vendburimet e naftës/gazit, etj., ku kontratatë kanë dështuar tërsisht sepse në termat e tyre ka shkelje të rënda që janë arsye të ligjëshme për t’i pezulluar ato dhe të rishtetëzoj vendburimet, të cilët janë një bazë e fuqishme për vetë-investimin e tyre, për zbulimin e fushave perspektive me rezerva të reja dhe në ringritjen e Industrisë Naftës apo atë të Mineraleve, etj. Të ardhuratë prej tyre zënë një pjesë të mirë në buxhetin e shtetit dhe duhet të përdoren për rritjen e mirqënies popullit. Pasuritë e zbuluara, nuk zëvëndësohen as me zbulimin në Shpirag apo të ndonjë tjetër dhe as me hidrogjenin që ҫlirohet në minierën e kromit Bulqizë.
– Prandaj, rishtetëzimi tyre është urgjent, sepse ato po shkatërrohen dhe të paktën të shpëtojm atë që ka mbetur. Në një video që postoi Blendi Fevziu verehet se si po e shkatërron prej 20 vitesh Bankers Petroleum vendburimin Patos-Marinëz. https://www.facebook.com/reel/606757538684626 Aty vërehet se nga pusi del një emulsion i përbër nga NAFTË (në % të ulët) + UJË ME KIMIKATE (që injektohen me presion të lart në shtresë) + RËRË (nga shkatërrimi i shtresave naftëmbajtëse). Ky është i vetmi investim i saj për të aplikuar këtë metodë shfrytëzimi barbar, e cila nuk rekomandohet në këtë vendburim me shtresa ranore të paqëndrueshme dhe me naftë tepër viskoze. Video s’ka nevojë për shumë koment, një specialist nafte e dallon qart se në ҫ’farë gjëndje është katandisur ky vendburim, por gazetari nuk e di se ҫ’farë është ajo përzierje që nxjerrë pusi, ai e publikoi atë si një arritje të kompanisë që ka investuar në futjen e kësaj “teknologjie të avancuar” në shfrytëzimin e vendburimit. Nëse ai e dinte ҫ’farë është ajo përzierje, që është rezultat i efektit negativ shkatërrues që sjellë kjo teknologji, as do e kishte marrë mundimin të përgatiste dhe të shfaqte këtë video, sepse i prish punë qeverisë dhe hajdutëve të saj. Këtë vendburim e shfrytëzuam ne shqiptarët për 50 vjet dhe nuk e kemi parë asnjëherë në këtë gjëndje mjerane. Specialistët tanë nuk lejonin ardhje rëre apo uji në pus gjatë shfrytëzimit. Situata bëhej alarmante, menjëherë ulej regjimi shfrytëzimit dhe kryenin punime për forcimin e rezervuarit rreth trungut pusit për të mënjanuar këto fenomene dhe jo t’i stimulonin ato siҫ vepron Bankers Petroleum.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Jashtme të Francës (MPJ) ka lëshuar…