Tani ju rroftë Albin Kurti, kreshniku vigan që do mundë i vetëm botën
Nga Endri Tafani
Në mbledhjen e BE të martën në Bruksel u fol për sanksionet që do merren për Kosovën.
Masat e paralajmëruara përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe mosprocedimin në këtë moment të propozimit të dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor.
Drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman ka theksuar se masat do të hyjnë në fuqi në fund të kësaj jave.
Ky është qëndrimi zyrtar i BE dhe këto masa do zbatohen.
Tani hajde nxirrni nëpër ekrane filan deputet foli kshu për Kosovën e filan ish- ministër foli kshu për Kosovën.
Qejf i madh shumë posi… Gjithë bota me ne. Propagandë fëminore për ata që nuk e kanë haberin si funksionon shteti dhe politikat.
Që të jemi të qartë. Të gjithë këto sanksione mbi Kosovën ndodhën prej veprimeve të kryeministrit të Kosovës. Përgjegjësia bie mbi të.
Mos u mundoni t’u vini fajin serbëve. Politika e tyre ndaj Kosovës ka qenë gjithmonë e njëjta edhe kur në Kosovë kanë qenë kryeministra të tjerë.
Por asnjëherë nuk ka patur një qëndrim të tillë të BE ndaj qeverive të mëparshme. I vetmi variabël që ka ndryshuar është kryeministri i tanishëm.
Dhe të mos u gënjejë mendja qe është një lojë që mund të fitohet i vetëm kundër botës.
Përralla të kreshnikeve vigane që ndanin malet me shpatë. Është një lojë që vetëm humbet.
E për fat të keq humbet Kosova./Tema