Tanin: Qeveria e re duhet të angazhohet për dialog me Serbinë
Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka raportuar për situatën në Kosovë.
Ai fjalimin e tij e ka nisur duke e njoftuar këshillin se në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, fitues kanë dalë partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK.
“Ato janë duke shqyrtuar opsionet për arritje të marrëveshjes për bashkëqeverisje. Zotimet e tyre kanë qenë luftimi i krimit dhe korrupsionit. Bashkësia ndërkombëtare pret që krerët e ri të institucioneve të Kosovës të angazhohen në procesin e dialogut me Serbinë dhe të largohen pengesat”, ka thënë Tanin.
Ai ka theksuar se mirëpret edhe përpjekjet ndërkombëtare që procesi i dialogut Prishtinë-Beograd të vazhdojë pas shumë kohë ngecjeje.
Në fjalën e tij Tanin ka përmendur edhe aksionin e policisë së Kosovës në maj të këtij viti, duke treguar edhe ndalimin e dy zyrtarëve të UNMIK-ut.