Tanja Fajon: Nuk ka arsye të vonohet liberalizimi i vizave
Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka thënë se pret që shumë shpejt qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian (BE).
“Jam shumë e lumtur sot, sepse është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ka qenë një proces mjaft i gjatë dhe kërkues. Dhe e di, si raportuese se sa vështirë ka qenë për kosovarët që të arrijnë reformat e nevojshme. Standarde e vendosura ishin pak më të larta sesa për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Fajoni në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”.
Ajo ka bërë me dije se më nuk ka asnjë arsye që të vonohet ky proces. “Në fund, patjetër që është vendim politik dhe ne të gjithë e dimë se nëse ka vullnet politik ky proces do të përfundoj shpejt. Ata nuk kanë asnjë arsye që ta kundërshtojnë këtë, sepse Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kjo nuk po bëhet për njerëzit në Kosovë që tashmë mund të udhëtojnë biznesmenët, politikanët, apo kriminelët. Këto janë kategori të njerëzve që tashmë udhëtojnë. Ne po e bëjmë këtë për njerëzit e zakonshëm, për të rinjtë, për ata që po poshtërohen para konsullatave, sepse thjesht nuk mund të udhëtojnë në vende evropiane”, ka thënë Fajoni.