Tanket zbarkojnë në Seul, ushtria rrethon Parlamentin e Koresë së Jugut. Presidenti shpall ligjin ushtarak

03 dhjetor 2024 | 19:05

Ditën e sotme kryeqyteti i Koresë së Jugut është përfshirë nga trazira të shumta.

Protestues të shumtë u grumbulluan para Parlamentit të vendit, duke bërë që presidenti Yoon Suk Yeol të shpallte ligjin ushtarak.

Sipas mediave të huaja, përveç pranisë së madhe të policisë jashtë Parlamentit, janë vënë re edhe helikopterë që rrotullohen mbi godinën e legjislativit.

Disa helikopterë janë ulur në çatinë e parlamentit, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Tensionet në Korenë e Jugut kanë nisur pas përplasjeve në Parlament për projektligjin e buxhetit të vitit 2025.

Po ashtu, në të njëjtën javë, opozita ka protestuar për të fajësuar anëtarët e kabinetit, kryesisht kreun e agjencisë së auditimit të qeverisë, për dështimin për të hetuar Zonjën e Parë.

Presidenti i etiketoi veprimet e opozitës si “sjellje të qarta antishtetërore që synojnë nxitjen e rebelimit”.

Ai më tej pretendoi se këto akte kanë “paralizuar punët e shtetit dhe e kanë kthyer Asamblenë Kombëtare në një strofkë kriminelësh”.

“Përmes këtij ligji ushtarak, unë do të rindërtoj dhe mbroj Republikën e lirë të Koresë, e cila po bie në humnerën e rrënimit kombëtar të atyre që kryejnë aktivitete të mbrapshta”, tha Yoon Suk Yeol, President i Koresë së Jugut.

Nga ana tjetër, presidenti i vendit tha se po shpallte Ligjin Ushtarak për të mbrojtur Korenë e Jugut nga forcat komuniste të lidhura me Korenë e Veriut.

Yoon Suk Yeol, në një fjalim të paparalajmëruar dhe të transmetuar drejtpërdrejt në televizion, tha se ai do të zhdukte “forcat anti-shtetërore pro-koreane të Veriut”.

Kjo është hera e parë që nga viti 1980 që Koreja e Jugut shpall ligjin ushtarak.

“Po shpall ligjin ushtarak për të mbrojtur Republikën e lirë të Koresë nga kërcënimi i forcave komuniste të Koresë së Veriut, për të zhdukur forcat e neveritshme antishtetërore pro-koreane që po plaçkitin lirinë dhe lumturinë e popullit tonë dhe për të mbrojtur kushtetutën”, tha Yoon Suk Yeol, president i Koresë së Jugut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut…