
Tara flet për dokumentin që po e kërkon: Kinse di për shumë krime që i ka bërë UÇK-ja e për vrasje të civilëve
Pasi ka diskutuar me avokatin e tij, Ismet Tara i njohur si komandant “Hoxha”, ka thënë se prokurorisë do t’i përgjigjet në pyetjet shtesë vetëm në ato raste kur pyetjet e tyre dalin nga kundërpyetjet e mbrojtjes dhe jo për tema të tjera.
“Pyetjeve shtesë lidhur me këto pyetje që do i parashtroni ju do i përgjigjem edhe asaj, por në qoftë se del jashtë pyetjeve tuaja nuk do t’i përgjigjem”, ka thënë Tara, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Rodney Dixon që përfaqëson Kadri Veselin, i ka thënë se ky është vendim që duhet ta marrin gjykatësit dhe jo ai. Gjithashtu, ai ka kërkuar që të informohet se çfarë ishte ai dokument që Tara e kërkonte dje.
“Dokument që është zhdukur prej prokurores sime. Është dokument që është përshkruar më 2019-ën të gjithë ata hetues dhe prokurorë të mi që më kanë marrë në intervista për 32 orë. Ai dokument nuk është përshkruar në prezencën time. Nuk më është treguar kurrë as për t’u lexuar dhe as nuk e kam nënshkruar dhe nuk kam pasur njohuri për atë dokument që disa vite më radhë vetëm se me datë 19 (të mërkurën) me stafin e prokurores më është treguar ai dokument për herë të parë”, ka thënë Tara.
Dëshmitari Tara ka thënë se ai dokument përmban informacione se kinse ai ka akuzuar UÇK-në për krime. Veç kësaj, ai ka thënë se dokumenti është zhdukur nga prokurorja Vega Iodice.
“Ai dokument sipas përshkrimit të ish-intervistuesve të mi, prokurorëve të mi sikurse Ismet Tara të kishte thënë se ai di shumë krime që kanë ndodhur, që shumë krime që i kanë bërë UÇK-ja, që kanë vrarë civilë, që kanë dhezur civilë, e që kanë bërë krime jonjerëzore sipas përshkrimeve të tyre. Janë dy fletë të cila nuk i kam nënshkruar unë kurrë dhe nuk më janë paraqitur mua kurrë, s’i kam parë kurrë dhe nuk më janë tregu kurrë. Për herë të parë më janë tregu nga prokurorja e cila e ka zhdukë”, ka thënë ai, duke shtuar se të njoftuar janë edhe stafi i saj dhe përkthyesja shqiptare.
Tara ka thënë se prokurorja i ka thënë që ai dokument i përket stafit të ZPS-së gjatë intervistimit të tij më 2019-ën, por ai shtoi se ai dokument nuk ka qenë i njohur për atë.
Ai ka theksuar se i është thënë se ai dokument përmban përshkrimin gjeneral se çfarë e kanë cilësuar hetuesit e ZPS-së me 2019-ën dëshmitarin.
“Kur kam filluar që ta lexoj këtë dokument kam filluar që të qaj dhe të bërtas zoti avokat. Një fletë e kam lexuar unë dhe kur e kam parë se si më kanë përshkruar këta mua, jam trishtuar dhe e kam humbur veten dhe më ka kapur frika se ende e kësaj dite jam i rrezikuar për atë dokument në qoftë se nuk bëhet i hapur dhe nuk paraqitet ai dokument që të shqyrtohet tërësisht dhe të bëhet i njohur që ai përshkrim është i përshkrim i egër i dëshirave të tyre”, ka thënë ai.
Dixon ka thënë se do të bëjnë pyetje lidhur me këtë dokument, por aktualisht do të bëjnë pyetje të tjera.
Dëshmitari pohoi se ka qenë pjesë e njësisë “Arti” dhe më pas ka kaluar në Zonën e Pashtrikut e më pas në Brigadën 124.
Ai ka theksuar se ka ndihmuar edhe Shtabin e Likocit që përfshinte Rezallën dhe Plluzhinën me ndihmat e tij dhe popullatës që përfshinë ushqimin barna.