
Tara: Kurrë s’kemi pasur ushtri të rregullt, në shtator të ‘98-s s’ka pas strukturë hierarkike
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon ia ka prezantuar dëshmitarit Ismet Tara deklaratën e mëhershme ku ai kishte deklaruar se të gjithë ushtarët kanë qenë vullnetarë dhe se nuk kanë pasur asnjëherë një ushtri të rregullt. Tara ka mohuar se në shtator të 1998-s ka pasur ndonjë strukturë hierarkike në ushtri.
Ai pretendohet se ka thënë që UÇK-ja përbëhej prej qytetarëve të zemëruar nga pushteti serb për shkak të keqtrajtimeve. Përgjigja e tij nuk është dëgjuar, por është parë teksa pohonte me kokë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tara është pyetur se a ka thënë që dëshironin të jepnin përshtypjen se kishin një ushtri të vërtetë e cila nuk ishte ashtu. Dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet, duke shtuar se duhet të merret edhe përkthimi në anglisht pasi ka hasur në shumë gabime gjatë përgatitjes së tij me prokuroren.
“Kurrë, kurrë, kurrë jo, nuk kemi pasur një ushtri të rregullt”, ka thënë ai.
Tara ka thënë se deri me kthimin e tij prej Shqipërisë pas 20 shtatorit 1998 nuk ka dëgjuar asnjëherë që ekzistojnë brigadat e UÇK-së, por vetëm shtabet lokale të qyteteve dhe fshatrave.
“Deri pas kthimit tim prej Shqipërisë pas 20 shtatorit nuk kam dëgjuar që ekzistojnë brigadat e UÇK-së”, ka thënë ai.
Pas 20 shtatorit, dëshmitari ka thënë se është folur për organizimin e brigadave konkretisht pas krijimit të Zonës së Pashtrikut. Pas kësaj date, Tara ka thënë se UÇK-ja gati është shpërbërë, por që kanë filluar me krijimin e brigadave.
“Është filluar një përgatitje që të vijnë ushtarë të rinj dhe të vjetër që janë larguar në Shqipëri që të përmbushet numri sado pak i ushtarëve. Ka filluar organizimi i brigadave pa ushtarë, pa ushtarë edhe për njësitet më të vogla jo për brigadë”, ka thënë Tara.
Gjatë kësaj kohe, Tara ka thënë se ka qenë financier i njësitit “Arti” dhe si anëtar i logjistikës së këtij Shtabi.
Kur është pyetur se a ka pasur ndonjë strukturë hierarkike pasi është kthyer nga Shqipëria në shtator të 1998-s, ai u përgjigj: “Asnjëherë”.