Tara pritet të merret në pyetje nga ekipet e mbrojtjes

25 shkurt 2025 | 08:33

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca e këtij procesi gjyqësor pritet të nis sot në orën 9:00.

Sot në sallën e gjyqit dëshmitarin Ismet Tara pritet ta marrin në pyetje ekipet e mbrojtjes, për çka dëshmitari dje kërkoi që të flasë fillimisht me një avokat për ta ngritur shqetësimin e tij lidhur me dokumentin të cilin e kërkoi t’i paraqitet që nga fillimi i dëshmisë së tij.

Njëri ndër ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Tara, në Facebook ka shkruar mbrëmë se do të kundërshtojë të gjitha akuzat ndaj krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, duke i cilësuar ato si të orkestruara nga qarqe serbe dhe bashkëpunëtorë të tyre.

Tara ka bërë me dije se do të kundërshtojë të gjitha akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, duke i quajtur ato të fabrikuara nga qarqe serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se këto akuza janë rezultat i një skenari të hartuar nga “kriminelët ushtarakë serbë dhe Akademia Serbe e Vaso Čubrilović dhe Dobrica Ćosić”, të cilët, sipas tij, kanë bashkëpunuar me “spiunë shqiptarë të UDB-së serbe” për t’i dhënë më shumë peshë çështjes në Prokurorinë e Specializuar në Hagë.

Tara njoftoi gjithashtu se nesër do të paraqitet në gjykatë për të dëshmuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve mbrojtës të ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Unë, Komandant Hoxha, do të kundërshtoj të gjitha akuzat e ngritura ndaj krerëve të UÇK-së, të cilat janë produkt i një skenari të përgatitur nga kriminelët ushtarakë serbë dhe Akademia Serbe, në bashkëpunim me spiunë shqiptarë të UDB-së serbe, me synimin për të ndikuar te prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Shihemi nesër në gjykatë, ku do të përgjigjem ndaj të gjitha pyetjeve të avokatëve mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së,” ka shkruar ai.

Deri më tani, ky është dëshmitari i 123-të i ZPS-së në Gjykatën Speciale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se është gati të…