Taravari dhe kthesa etike e VLEN-it

23 prill 2025 | 12:51

Nga Astrit Gashi

Nga jashtë, kjo mund të duket si një largim i zakonshëm në një realitet politik të fragmentuar. Por kush i njeh mirë zhvillimet e brendshme të koalicionit shqiptar VLEN në Maqedoninë e Veriut, e di që Arben Taravari nuk u largua, por ai u përjashtua. Ky nuk ishte një akt hakmarrjeje apo reflektim i ndonjë përplasjeje personale. Ishte një vendim i domosdoshëm politik, i ndërmarrë për të ruajtur integritetin strategjik dhe koherencën ideologjike të një projekti që synon të jetë më shumë se një koalicion.

VLEN nuk është thjesht bashkim i disa subjekteve politike. Por është përpjekja më serioze për të ndërtuar një subjekt të ri politik shqiptar, të pavarur nga orbitat e zakonshme të sistemit të vjetër. Një formacion që e koncepton vetveten jo si thjesht reagim ndaj një pushtetit të kapur Grubist, por si subjekt me vizion institucional dhe qasje politike të pjekur. Pikërisht për këtë arsye, pranë këtij vizioni nuk mund të qëndronte më gjatë një figurë që me qëndrimet e veta krijonte paqartësi strategjike, dilema morale dhe dyshime të mëdha publike si veproi gjatë gjithë karrierës së tij politike Arben Taravari.

Që në fillim, brenda VLEN-it u përplasën dy rrugë, njëra që synonte përballje të drejtpërdrejtë dhe pa ekuivok me sistemin BDI-ist, dhe tjetra e përfaqësuar nga Taravari që linte hapësira për negociatë, bashkëpunim, e madje edhe rikthim të heshtur në orbitën e vjetër. Kjo përplasje nuk ishte thjesht taktike. Ishte thelbësore. Sepse në politikë nuk është e mundur të pretendosh transformim nëse brenda vetes ushqen status quo-në.

Ambiguiteti i qëndrimeve të Taravarit, flirti i tij i heshtur me BDI-në, krijoi krizë jo vetëm brenda koalicionit, por edhe në perceptimin qytetar. Në vend që të artikulonte një qëndrim të qartë opozitar, ai zgjodhi një pozicion të dyfishtë në kufirin midis konformizmit dhe konfrontimit duke i dhënë shpresë forcave që nuk kishin interes për ndryshim real.

Ky qëndrim u bë i papajtueshëm me atë që VLEN dëshironte të ndërtonte dhe që kishte marrë besimin qytetar. Një subjekt politik që synon të përfaqësojë realisht shqiptarët nuk mund të tolerojë paqartësi, lojë të dyfishtë dhe interesa personale që rrezikojnë kauzën kolektive. Për këtë arsye, përplasja nuk ishte çështje “nëse”, por vetëm “kur”.

Përjashtimi i Taravarit, në vend që ta dëmtojë VLEN-in, e ka konsoliduar atë. Koalicioni është tashmë më koherent, më i qartë në mesazhin e tij politik, dhe më i besueshëm për një pjesë të madhe të elektoratit që kërkon një subjekt me përmbajtje të re, jo me fytyra të ricikluara. Ky vendim shënon fundin e një ambiguiteti të rrezikshëm dhe fillimin e një përqendrimi strategjik që i mungonte për një kohë të gjatë përfaqësimit politik shqiptar.

Edhe vetë BDI-ja, me gjithë manovrat e saj për ta afruar Taravarin, e di që ky afrim nuk vjen pa kosto. Çdo hap që e bën Taravarin pjesë të Frontit Europian mund të prodhojë efekt domino, brenda ketij kampi, përfshirë edhe tërheqjen e Ziadin Selës, i cili prej vitesh ka qenë infusioni politik për BDI-në. Prandaj ky filtrim i Ahmetit me Taravarin mund të jetë dhe fundi i Frontit Europian, i cili ende nuk është kthyer në orbitën politike pas gaditjes që mori nga VLEN-i dhe arratisja e Grubit.

Në të gjithë këtë konstelacion të ri politik, Izet Mexhitit ka dalë më e fortë se kurrë. Ai jo vetëm që dje tregoi guximin për t’u shkëputur nga BDI-ja në emër të reformës, por sot po tregon se është i aftë të ruajë unitetin dhe drejtimin politik të një koalicioni si një lider që merr vendime. Përjashtimi i Taravarit është akt i qartë disipline politike, një vlerë që i ka munguar përherë politikës shqiptare në rajon.

Nëse kjo vijë mbahet, Mexhiti ka potencialin real jo vetëm të fitojë komuna të rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme lokale, por edhe të vendosë themelet për një përfaqësim të ri institucional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Jo thjesht si reagim ndaj BDI-së, por si formësim i një normaliteti të ri politik që nuk buron nga klientelizmi, por nga përfaqësimi dinjitoz dhe strategjia afatgjatë.

Arben Taravari nuk është viktimë e një përçarjeje. Ai është produkt i një vendimi politik të nevojshëm, që po shënon kthesën më të rëndësishme të përfaqësimit shqiptar në dekada. VLEN nuk zgjodhi rrugën e lehtë, por zgjodhi rrugën e drejtë. Dhe kjo është ajo që i jep këtij subjekti kredibilitetin e një force që nuk vjen për të mbijetuar në sistem, por për ta ndryshuar atë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Carlo Ancelotti nuk e di ende se cila do të…