Taravari dyshon në votat e Kuvendit Qendror të Selës: Nëse s’fitojmë në zgjedhje, jap dorëheqje
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari vlerëson se votat në Kuvendin qendror të ASH-së të drejtuar nga Ziadin Sela, janë të manipuluara dhe jo të anëtarëve të vërtetë të Kuvendit partiak. Ai këtë koment e bëri në takimin e një dite më parë me mbështetësit në Gostivar.
“S’ka gjasa të ketë 108 kur aty nuk janë as kuvendarët, asnjë i Likovës, asnjë i Gostivarit, gjysma e kuvendarëve të Shkupit, as tre të Kërçovës, as dy të Strugës dhe nëse i mblidhni këto janë 75. Tash unë nuk e di si kanë dalë numrat e tyre por në uebfaqe kanë qëndruar emrat e kuvendarëve të partisë. Ne fatmirësisht, rastësisht i kemi incizuar dhe kur të jetë procesi gjyqësor normalisht i tregon. Por unë mendoj se kjo temë duhet të mbyllet. Rrugët tona prej sot janë ndarë. Ata që mendojnë se duhet t’i ndihmohet BDI-së le të vazhdojnë”, tha Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Taravari përsëriti qëndrimin se partinë nuk e bëjnë as vulat dhe as zyrat. Ai u shpreh i bindur se partia ka marrë vendimin e duhur kurse të tjerët, siç tha ai, janë ngjitur në autobus të gabuar.
Në ASH, tha Taravari, do të ketë vend edhe për anëtarët e ASH-së që për momentin janë me palën e kundërt. Në rast se nuk fiton zgjedhjet, Taravari njoftoi dorëheqjen e tij.
“Unë kam kërkuar prej atyre të më përkrahin në një palë zgjedhje të më përkrahin dhe të shohin vizionin tim. Në qoftë se në 8 maj nuk fitojmë, unë jap dorëheqje të parevokueshme atë natë dhe përsëri kjo vlen, edhe kështu si jemi, se populli, 90% e përkrahësve, simpatizantëve të Aleancës për Shqiptarët janë këtu. Shihni frymën dhe energjinë pozitive që ekziston te njerëzit”, ka deklaruar Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët. / Alsat