Taravari: Javën e ardhshme përfundojnë negociatat me VMRO-DPMNE, po punojmë për ndarjen e ministrive
Arben Taravari nga koalicioni VLEN, ka thënë se nga e hëna me VMRO-DPMNE-në, pritet që të flasin për ndarjen e resorëve në qeverinë e re që do të krijohet pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në Maqedoni të Veriut.
“Unë besoj se javën e ardhshme përfundojnë negociatat. Ekipet punojnë intensivisht për programin, por njëkohësisht do të fillojë edhe ndarja e resorëve, pastaj edhe për eshalonin e tretë”, ka thënë Taravari, transmeton “TV21”.
Deri më tani janë zhvilluar disa takime mes VMRO-së dhe VLEN-it, në mes të liderëve dhe grupeve punuese të të dy palëve.
“Tash për tash është një atmosferë shumë pozitive, ka kuptueshmëri nga të dy anët, jam shumë optimist se deri të premten besoj që do ta kemi marrëveshjen finale për qeverisjen e ardhshme”, ka thënë Taravari.
Pavarësisht humbjes, VLEN-i shpreson se do të jetë partner i partisë nacionaliste VMRO-DPMNE.