Taravari: Koha që Maqedonia e Veriut të ketë kryeministër shqiptar me mandat të plotë
Maqedonia e Veriut do ta nisë vitin e ri me një qeveri teknike në fund të janarit, në krye të së cilës për herë të parë do të vihet një shqiptar.
Arben Taravari, kryetari i partisë së dytë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se Aleanca për Shqiptarët do ta mbështesë pa dyshim Talat Xhaferin për t’u bërë kryeministri i parë shqiptar në këtë shtet, ashtu siç e pati mbështetur në vitin 2017 që të bëhej kryeparlamentari i parë shqiptar.
Në një intervistë për “Express”, Taravari ka thënë megjithatë se “është qesharake zgjedhja e një kryeministri kukull”.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj dhe ai ka thënë se “është koha që qeveria të mandatohet me një kryeministër shqiptar”, i cili do të ketë mandat të plotë.
Shqiptarët kanë 28 ulëse në parlamentin prej 120 ulësesh të Maqedonisë së Veriut. Kryetari i Strugës është shprehur i bindur për rezultate spektakolare në zgjedhjet e reja, që sipas tij, do të prodhojnë edhe më shumë deputetë shqiptarë.
Taravari, ka thënë se partia e të cilit është pjesë e kabinetit qeveritar në Maqedoninë e Veriut, nuk është befasuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zgjedhur t’i mbështesë partitë opozitare shqiptare atje. Kjo, siç ka thënë ai është “e natyrshme”. “Është e kuptueshme që z. Kurti dhe partia e tij do të kërkojnë të kontribuojnë në shtetin tonë ndërmjet një pozicioni të tillë”, ka thënë ai.