Tare, drejtor sportiv i Milanit?  

21 shkurt 2025 | 15:30

Me eliminimin e hershëm e të turpshëm të Milanit nga Liga e Kampionëve, presioni ka rënë shumë mbi trajnerin Sergio Conceicao, e mbi të gjitha ndaj bordit drejtues, me Zlatan Ibrahimoviq që udhëheq anën sportive.

Megjithëse nuk është fajtor kryesor, Ibrahimoviq si këshilltari i lartë i “Redbird” ka zhytur imazhin publik të klubit në figurën e tij dhe sot e gjen veten duke lundruar në ujëra mjaft të trazuar së bashku me trajnerin. Suedezi do të duroj goditjet të paktën deri në verën e ardhshme, kur Xherri Kardinale pritet të emërojë një drejtor të pastër sportiv përkrah tij.

Emrat e zbuluar për të plotësuar këtë rol janë ata të ish-drejtorit të Juventusit, Fabio Paratici, i cili është ende i pezulluar deri në vjeshtë, por mund të funksionojë fillimisht si konsulent.

Një tjetër profil është ai i Andrea Bertas, i cili janarin e kaluar i tha lamtumirë Atletikos së Madridit pas një bashkëpunimi mbi 10-vjeçar teksa deri pak javë më parë u përfol edhe Francois Modesto, dikur në bordin drejtues të Monzas. Emri më i fundit, por sigurisht jo për nga koha, është ai i Igli Tares që është përmendur edhe në të kaluarën për një lidhje me klubin kuqezi.

Tare ka qenë drejtor sportiv për shumë vite i Lazios, duke e kryer këtë detyrë me shumë sukses te ish-ekipi i tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani është ndalur në barazim 1-1 në përballje me Feronikelin…