Tare: Jemi një komb, Hasin e Canën i kam konsideruar si vëllezër
Igli Tare ka dhënë mesazhe të fuqishme bashkimi mes shqiptarëve, duke u shprehur kategorikisht kundër dhe kritik ndaj ndarjeve dhe përçarjeve mes shqiptarëve.
I ftuar në emisionin “E Diell” në Top Channel, legjenda e futbollit shqiptar e dha mendimin dhe mesazhin e tij për shqiptarët, mbi të gjitha pas episodeve të fundit, ku pati debat mes shqiptarëve të Kosovës me ata të Shqipërisë.
“Ne jemi një komb. Nuk i kam konsideruar kurrë Besnik Hasin ose Lorik Canën, që kanë ardhur të parët për ta dhënë kontributin e tyre në Kombëtaren shqiptare, si kosovarë, por si vëllezërit e mi. Kështu që, do të ishte diçka shumë e ulët të jemi dëshmitarë të këtyre episodeve. Do ta jepja një mesazh: nuk ekziston Kosova mënjanë, larg nga Shqipëria”, ka deklaruar fillimisht ish-futbollisti i Lazios.
“Ekziston shqiptaria dhe ne të gjithë jemi dhe e prezantojmë një komb. Kështu që, nëse është Dua Lipa apo Lorik Cana, apo është dikush tjetër si Ismail Kadare apo si Nënë Tereza, apo të gjithë ata njerëz që e kanë dhënë kontributin… janë munduar të na ndanin gjithë jetën, në historinë tonë, por ka ardhur momenti që të jemi të gjithë bashkë. Do të ishte një mesazh i bukur për të gjithë kombin tonë”, ka përfunduar ish-përfaqësuesi shqiptar.