Tare: Ky sezon duhet të vazhdojë, ndryshe rrezikojmë kolaps në futboll

31 mars 2020 | 14:48

Igli Tare ka thënë se ky sezon i Serie A-s duhet të vazhdojë përkundër gjendjes aktuale nga koronavirusi, por edhe për t’i respektuar viktimat.

Italia vazhdon të jetë e mbyllur nga pandemia botërore, mirëpo numri i personave të prekur dhe atyre që po ndërrojnë jetë ka filluar të bije.

Drejtori sportiv i Lazios ka thënë se ky edicion duhet të vazhdojë dhe të mbyllen të gjitha takimet e mbetura.

“Është ende herët për të folur, por numri i të prekurve po bie ndjeshëm. Unë dua që sezoni të shkojë deri në fund, edhe në respekt të atyre që humbën jetën, por edhe të të gjithë tifozëve italianë”, ka thënë Tare në një intervistë për Sport1. “Jam tërësisht kundër anulimit të sezonit, pasi kështu do të rrezikohej kolapsi i sistemit të futbollit, duke qenë se shumë klube përballojnë shpenzimet në bazë të të ardhurave nga e drejta televizive”.

“Është një situatë nga e cila duam të gjithë të dalim sa më shpejt dhe t’i rikthehemi normalitetit. Lojtarët mezi presin të rinisin stërvitjen, ndonëse do t’ju duhet të gjejnë formën më të mirë brenda një kohe te shkurtër”, u shpreh më tej ai.

Ende nuk është bërë e ditur se kur mund të rifillojë ky sezon, mirëpo mendimet janë që të përjashtohet dhe në gusht të fillohet me kampionat të ri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se…