Tare largohet nga Lazio pas 18 vitesh: Kisha kohë që e mendoja
Igli Tare nuk do të jetë më drejtori sportiv i Lazios. Lajmin e ka bërë me dije vetë ish-futbollisti i Kombëtares, i cili i jep fund kështu aventurës me kryeqytetasit e Italisë pas 18 vitesh.
“Pas 18 vitesh, eksperienca ime e mrekullueshme si drejtor sportiv i Lazios ka ardhur në fund. E bëra këtë zgjedhje prej disa kohësh, por prita deri sa Lazio të arrinte objektivin për të shkuar në Ligën e Kampionëve, i sigurt që ndërtova një skuadër të fortë, me lojtarë të jashtëzakonshëm që arritën këtë objektiv. Ishte një aventurë e gjatë e krijuar me momente të lumtura, humbje dhe trofe. Unë nuk do të ndaloj kurrë së falënderuari presidentin Lotito për këtë mundësi të madhe, tifozët bardhekaltër që hynë në zemrën time, klubin me të gjithë pjesëtarët, lojtarët, stafin dhe të gjithë ata që ishin afër meje në këtë rrugëtim. Falënderim special për familjen time, që gjithmonë ka qëndruar pranë meje. Një mundësi prestigjioze që më është dhënë si futbollist dhe si menaxher dhe që sigurisht nuk do e harroj kurrë, duke marrë çdo moment të këtij rrugëtimi me vete. Me shpresën që secili prej jush do të vazhdojë, me të njëjtin pasion që unë kisha, duke e mbrojtur me xhelozi këtë realitet. Gjithmonë Forca Lazio”, ka thënë Tare.