Tare: Me Lazion kam bërë gjëra të mëdha
Në një intervistë për “La Repubblica” Igli Tare ka bërë parashikimin e tij për sezonin e ri të Serisë A italiane. Ish-drejtori sportiv i Lazios ka përfituar për të evidentuar punën e bërë me Klaudio Lotiton ndër vite. E shkuara bardhekaltër është një motiv krenarie për Taren, i cili thotë se puna e bërë në kryeqytet nuk ka qenë e vogël. Përkundrazi ai tregon se me pak para ka arritur gjëra të mëdha.
“Të jem i sinqertë edhe pse kam disa muaj që nuk punoj më nuk jam shkëputur nga bota e futbollit. Kam njohur njerëz të rinj dhe të them të drejtën ndihem mirë. Sa i përket punës së bërë me Lazion them se kam arritur gjëra të mëdha në një klub me tifozë shumë kërkues. Herë herë mendoj se kam tejkaluar pritshmëritë pasi për të shpenzuar kemi shpenzuar si një klub që lufton për mbijetesë”, ka thënë Tare. I pyetur për një parashikim të bërë për sezonin e ri të Serisë A, Tare mendon se Interi është përsëri në avantazh krahasuar me rivalet.
“Interi më duket ende shumë solide ndërsa Milani do të bëjë një sezon të mirë. Mendoj se Napoli do të jetë një problem për të gjitha rivalet ndërsa Juventusi nuk është e kompletuar”, ka shtuar Tare.