Tare: Nuk do të shkoj te Chelsea
Igli Tare pas largimit si drejtor i Lazios, post që e mbajti për rreth 15 vite, ka vendosur të qëndrojë në Shqipëri për pushimet verore duke pritur dhe shqyrtuar ofertat për një aventurë të re.
Darka e tij me pronarin e Chelsea, Todd Boehly në një nga resorët turistike në jug të vendit bëri zhurmë rreth një kalimi të tij të mundshëm në drejtimin e skuadrës londineze.
“Top Channel” ka kontaktuar nëpërmjet gazetarit Endi Tufa me ish-drejtorin e Lazios, Igli Tare, i cili i pyetur nëse ka diçka të vërtetë rreth një bisede të mundshme për kalimin e tij në futbollin më të bukur në Evropë, Premier Ligë dhe ish-drejtori i skuadrës së Serie A ka përgënjeshtruar një lajm të tillë.
“Todd Boehly është i njohuri im dhe kam darkuar me të për këtë arsye, nuk ka asgjë të vërtetë rreth këtyre lajmeve që qarkullojnë”, është përgjigjur Igli Tare. Me sa duket deri në marrjen e një vendimi se ku do të jetë e ardhmja e Tares, do të ketë shumë fjalë dhe ndoshta me të drejtë duke qenë se për të kanë shprehur shpesh interesin klube të rëndësishme jo vetëm në Itali, ku e njohin shumë më mirë por edhe në kampionate të tjera.