Tarifat e energjisë do të shqyrtohen sërish në dhjetor

11 shkurt 2022 | 11:13

Tarifat e energjisë elektrike do të shqyrtohen sërish në fund të këtij viti.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, Petrit Pepaj.

Sipas Pepajt, shqyrtimi i rregullt tarifor do të bëhet në mesin e dhjetorit të këtij viti.

“Proceset e rregullta të shqyrtimeve tarifore për ndërmarrjet e rregulluara për vitin 2023 fillojnë ne mesin e dhjetorit të këtij viti. Në këtë kuptim ne nuk mund te gjykojmë tani se si do te jenë tarifat në vitin 2023”, ka thënë Pepaj.

Ai e ka konfirmuar se paratë e ndara nga Qeveria për subvencionim të tarifave janë vetëm për këtë vit.

“I tërë subvencioni i qeverisë është reflektuar ne tarifat për këtë vit, ky subvencion ka bërë që : a) Tarifat për konsumatorët jo familjar, në kuadër të Shërbimit Universal  të mbesin të njëjta si vitin e kaluar. Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kWh në muaj,  të mbesin të njëjta si vitin e kaluar, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent”, thuhet në përgjigjet e Pepajt për Express.

Ndryshe, tarifat e reja të energjisë elektrike kanë hyrë në fuqi dje dhe do të jenë të aplikueshme deri më 31 mars të vitit 2023.

Me tarifat e reja, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh energji do të përballen me shtrenjtim të energjisë.

Ata do të duhet të paguajnë 5.9 centë për tarifën e ultë dhe 12.52 centë për tarifën e lartë.

Ata që do të shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kWH nuk do të faturohen me çmimin e ri, derisa ata që e kalojnë 800 kWh, me çmimin e ri do t’iu llogaritet vetëm sasia e harxhuar mbi këtë vlerë.

“Tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët jo familjarë, në kuadër të Shërbimit Universal do të mbesin të njëjta si vitin e kaluar. Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kWh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023”, ka njoftuar ZRRE-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Prizrenit 16 me rezultat 69:94…