Tashmë tre muaj pa paga, kryesindikalisti: Gjendja e minatorëve është e rënduar
Tashmë prej tre muajsh, minatorët po përballen me vështirësi financiare. E kjo si pasojë e mos-ekzekutimit të pagave ndaj tyre përgjatë këtyre muajve.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë së gjendja e minatorëve është jashtëzakonisht e rënduar, shkruan Telegrafi.
“Gjendja është jashtëzakonisht e rënduar për shkak të mungesës së pagave”, ka thënë Januzi.
Januzi ka thënë së minatorët janë në pritje të një vendimi nga ana e menaxhmentit dhe bordit, lidhur më gjendjen e krijuar.
Para disa ditësh, fondacioni “Golden Eagle” ka ndarë shumën prej 10 mijë euro për minatorët e Trepçës.
Lidhur më këtë, Januzi është shprehur se kjo shumë monetare është dhuruar në bazë të nevojave shëndetësore të minatorëve dhe atyre që kanë pasur nevojë për furnizime me ushqim.
“Fondacioni nga “Golden Eagle” është ndarë në bazë të nevojave shëndetsore tek minatorët me sëmundje të rënda dhe tek minatorët që kanë pasur nevoja për furnizime bazike me ushqim”, ka shtuar ai.
Siç ai ka deklaruar, këto mjete janë ndarë nga komisionet e formuara nga vetë minatorët.
Januzi ka theksuar se kjo gjendje e rëndë e minatorëve ka ardhur si pasojë e “keqmenaxhimit ndër vite në ndërrmarrje dhe mungesës së investimeve”.
Kujtojmë që para dy javësh, minatorët kishin lënë takim me bordin e ndërmarrjes ‘Trepça” por të njëjtit edhe pse ju premtuan takimin, nuk iu erdhën. Pastaj, minatorët vendosën që të takohen me bordin, por fillimisht ata nuk pranuan të takohen me ta.
Më vonë, tashmë ish-kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Bashkim Kurti, u takua me minatorët dhe ju premtoi një zgjidhje sa më të shpejtë të problemit të tyre.
Por, minatorët ende janë në gjendjen e njëjtë dhe pa paga.
Ndërsa, pas lirimit të Bashkim Kurtit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv, bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça” ka emëruar ushtrues detyre, Faton Ahmetin.