Task Forca t’i parandalojë aksidentet në komunikacion
Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fatmir Xhelili, ka thënë të mërkurën se gjendja e sigurisë në vendin tonë është e qetë dhe pa probleme të mëdha.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se Kosova ka bashkëpunim të mirë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe me Malin e Zi. Sipas tij, ky bashkëpunim është dëshmuar gjatë operacioneve të përbashkëta që janë zhvilluar për t’i evituar disa rreziqe.
Xhelili ka pohuar se është nevojë dhe domosdoshmëri për Policinë e Kosovës dhe atë të Serbisë që të kenë bashkëpunim në mes vete për t’i evituar rreziqet eventuale në të dy shtetet.
Duke folur për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ai ka thënë se lobimi është pozitiv dhe këtë vit ka gjasa që Kosova të bëhet pjesë e Interpolit. Xhelili ka vlerësuar se Kosova i ka plotësuar kriteret teknike për të qenë pjesë e Interpoli.
Ndërsa sa i përket numrit të madh të aksidenteve me fatalitet në komunikacion, ai ka bërë me dije se një gjë e tillë po ndodh për shkak të mospatrullimit të mjaftueshëm nëpër rrugë, mungesës së kontrolleve teknike rigoroze për gjendjen e veturave, tejkalimit të shpejtësisë si dhe përdorimit të alkoolit.
Xhelili ka thënë se Task Forca e sapo krijuar duhet t’i parandalojë aksidentet me fatalitet duke qenë serioze ndaj atyre që i shkelin rregullat e komunikacionit. Ai ka shprehur optimizëm se masat ndëshkuese dhe parandaluese do të ndikojnë pozitivisht në uljen e numrit të fatkeqësive dhe aksidenteve në komunikacion. Sipas Xhelilit, masat parandaluese, këshillat si dhe prania e policëve në uniformë dhe patrullave në rrugë ndikon më shumë sesa gjobat.
“Epoka e re”: Z. Xhelili, si e vlerësoni situatën e sigurisë dhe sa janë të sigurt qytetarët në shtetin e Republikës së Kosovës?
Xhelili: Gjendja e sigurisë në vendin tonë është e qetë dhe pa probleme të mëdha. Situata është nën kontroll, qytetarët e ndiejnë vetën të sigurt, prandaj jetojnë, punojnë dhe veprojnë pa frikë për ndonjë rrezikim. Organet tona të rendit kanë identifikuar ato që njihen si rreziqe për Kosovën dhe besoj se efikasiteti, funksionaliteti dhe cilësia e punës së policisë është në nivel për të pasur situatën nën kontroll, por edhe prania e KFOR-it bën që qytetarët e Kosovës të ndihen të sigurt. Realisht nuk ka hapësirë për të pasur frikë. Kurse sa i përket eventualisht ndonjë veprimi apo akti të vijave ekstreme nga të cilat frikësohen pothuajse të gjithë qytetarët evropianë, nuk besoj se në Kosovë do të realizohet ndonjë akt i tillë. Organet tona të sigurisë kanë treguar se janë efikase në luftimin e kësaj dukurie negative.
“Epoka e re”: Në këtë drejtim, si e shihni bashkëpunimin e organeve të rendit me organet e vendeve të tjera në rajon?
Xhelili: Bashkëpunimi ekziston sidomos me Shqipërinë, Maqedoninë dhe me Malin e Zi. Ky bashkëpunim është në nivel dhe këtë e kanë dëshmuar operacionet e përbashkëta që janë zhvilluar për t’i evituar disa rreziqe siç ka qenë rasti në Shkodër apo paralajmërimi për rastin në Mal të Zi. Kurse bashkëpunimi me organet e rendit të Serbisë është bërë në mënyrë indirekte deri tash me EULEX-in, por shpresoj se tash do të gjendet ndonjë formë që dalëngadalë të kalohet në një bashkëpunim drejtpërdrejt siç ka qenë rasti i Oliver Ivanoviqit. Është nevojë dhe domosdoshmëri edhe e Policisë së Kosovës, edhe e Policisë së Serbisë, për të pasur një bashkëpunim mes vete për t’i evituar rreziqet eventuale në të dyja shtetet.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej përpjekjeve, Kosova edhe më tutje nuk ka arritur të bëhet pjesë e organizatave të sigurisë. Si e shihni ecurinë e këtij procesi dhe sa ka gjasa që këtë vit vendi ynë të bëhet pjesë e Interpolit?
Xhelili: Besoj se Kosova i plotëson kriteret teknike për të qenë pjesë e Interpolit, por janë kriteret politike, faktikisht është shtetësia e papranuar në Kombet e Bashkuara. Mirëpo lobimi është shumë pozitiv në kohët e fundit dhe shpresoj se kjo do të realizohet. Nuk kam dëshirë të dal me prononcime se kur do të ndodhë kjo saktësisht, por shpresoj se Kosova do të bëhet anëtare e Interpolit.
“Epoka e re”: Mund të presim lëvizje pozitive edhe në organizata të tjera ndërkombëtare siç është Evropoli?
Xhelili: Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare është zinxhiror. Edhe në Europol çështja është problematike dhe besoj se bisedimet me Serbinë dhe përfundimit i tyre i determinojnë gjërat. Megjithatë, bisedimet pritet të shkojnë më shpejt sesa që i paramendojnë njerëzit.
“Epoka e re”: Në ditët, javët dhe muajt e fundit ka pasur një numër të madh të aksidenteve me fatalitet në komunikacion, me ç’rast Policia e Kosovës ka krijuar një Task Forcë. Besoni se do të ketë sukses në parandalimin dhe uljen e numrit të aksidenteve dhe viktimave në komunikacion?
Xhelili: Varet se sa serioze do të jetë qasja e Task Forcës ndaj atyre që i shkelin rregullat e komunikacionit. Ka shumë arsye për numrin e madh të viktimave në trafik. Mospatrullimi i mjaftueshëm nëpër rrugë, mungesa e kontrolleve teknike rigoroze për gjendjen e veturave në komunikacion, tejkalimi i shpejtësisë në vendet ku nuk është i lejuar, si dhe përdorimi i alkoolit nëpër ahengje të ndryshme janë faktorët që kanë ndikuar në zvogëlimin e kujdesit, ku për pasojë ka numër të madh të aksidenteve dhe viktimave në komunikacion. Shpresoj se masat ndëshkuese dhe parandaluese do të ndikojnë pozitivisht në uljen e numrit të fatkeqësive dhe aksidenteve në komunikacion.
“Epoka”: Është bërë me vonesë kjo Task Forcë?
Xhelili: Nuk jam adhurues i task forcave, sepse konsideroj se policia e trafikut rrugor duhet t’i marrë parasysh obligimet që i ka për zbatimin e ligjit në rrugë, duke vepruar në mënyrë parandaluese dhe ndëshkuese. Ndoshta ka qenë jopopullore masa për marrjen e një dokumenti, gjegjësisht patentshoferit në rastin e shqiptimit të dënimeve, mirëpo në ambientin dhe kulturën tonë të ngasjes në trafik është treguar e suksesshme ani pse është jopopullore. Shpresoj se qytetarët do t’i binden policisë sepse duhet ta respektojnë uniformën dhe ligjet në fuqi. Me keqardhje po them por, ndoshta, fatkeqësitë që kanë ndodhur në këtë periudhë kohore janë edhe një shenjë alarmi për rreziqet eventuale për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Shoferët duhet të vetëdijesohen dhe të jenë më të kujdesshëm gjatë ngasjes.
“Epoka e re”: As rritja e gjobave nuk ka pasur efekt në disiplinimin e shoferëve?
Xhelili: Ka pasur rritje të numrit të shqiptimit të gjobave, por pagesat kanë rënë shumë. Domethënë, prej 60 përqindësh sa janë paguar me kohë, kanë rënë pesë për qind. Kështu që, mbetem ithtar që masat parandaluese, këshillat si dhe prania e policëve në uniformë dhe patrullave në rrugë është më ndikuese sesa gjobat.
“Epoka e re”: Është dashur të ketë një fushatë më të madhe vetëdijesuese nga institucionet përkatëse?
Xhelili: Policia ka pasur mjaft aktivitete propaganduese në këtë drejtim, por personalisht mendoj se kujdesi duhet të jetë më i madh. Prania sa më e madhe e pjesëtarëve të policisë nëpër rrugë si dhe prania e numrit më të madh të patrullave nëpër qytete do të ketë efekt në parandalimin e aksidenteve në komunikacion.
Shqipe HETEMI