Tatimet thellojnë masat kundër informalitetit
Strukturat e Hetimit Tatimor do të nisin inspektimet në territorin e Shqipërisë për parandalimin, zbulimin dhe ndëshkimin e evazionit fiskal.
Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve veprimet operacionale kanë objektiv thellimin e masave kundër informalitetit, në një tjetër shkallë veprimi.
Inspektimet do të përqendrohen në tregjet e mallrave ushqimore dhe industriale, njësitë e shitjeve e magazinimit me pakicë e shumicë, akset kryesore rrugore në çdo qark për kontrollin e dokumentacionit të mallrave në lëvizje si dhe transportin e udhëtarëve.
Objekt i verifikimeve do të jenë regjistrimi i subjekteve tregtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe në organin tatimor, instalimi e përdorimi i pajisjeve fiskale, si dhe verifikimi dhe deklarimi i punonjësve në organet tatimore, përcjell “atsh”. Në fokus do të jetë edhe kontrolli për dokumentimin me faturë tatimore të mallrave që përdoren, ruhen, transportohen si dhe pajisja me bileta e udhëtarëve, por edhe verifikimi i tatimpaguesve për lëshimin e kuponit tatimor në vlerën reale të produktit/shërbimit në raport me listën e afishuar të çmimeve. “Mbajtja e rregullt e dokumentacionit që do të verifikohet, të tillë si dokumenti i origjinës së mallit (fatura e blerjes), lëshimi i faturës tatimore, përdorimi korrekt i pajisjeve fiskale, etj, përveçse ulin e eleminojnë zbatimin e penaliteteve, shkurtojnë ndjeshëm edhe kohëzgjatjen e verifikimeve, që shkon në dobi të kohës efektive të punës së çdo biznesi”, thuhet në njoftimin e DPT-së.