Taulant Hodaj ndërprenë bashkëpunimin me FFK-në

14 mars 2025 | 15:50

Taulant Hodaj është larguar edhe zyrtarisht nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Hodaj ka thënë se ka vendosur për përfundim të bashkëpunimit tim si avokat dhe përfaqësues juridik i FFK-së.

“Me keqardhje, por edhe me ndjenjën e përgjegjësisë profesionale, kam njoftuar sot kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës për vendimin për përfundim të bashkëpunimit tim si avokat dhe përfaqësues juridik i FFK-së”, ka thënë Hodaj.

Taulant Hodaj ka thënë gjithashtu se edhe pse nuk do të jetë në cilësinë e avokatit dhe ekspertit, do të vazhdoj të jetë në krah të futbollistëve, klubeve të futbollit të vendit tonë dhe lojtarëve të Kombëtareve të Kosovës.

Postimi i plotë i Hodajt:

Njoftim për ndërprerjen e bashkëpunimit me Federatën e Futbollit të Kosovës

Me keqardhje, por edhe me ndjenjën e përgjegjësisë profesionale, kam njoftuar sot kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës për vendimin për përfundim të bashkëpunimit tim si avokat dhe përfaqësues juridik i FFK-së. Ky vendim erdhi pas një sërë ngjarjesh dhe praktikash të përsëritura nga FFK që kanë qenë në kundërshtim me parimet e mia profesionale, veçanërisht në lidhje me pengesat dhe qasjet e ndryshme rreth përfaqësimit të rastit në CAS Lozanë kundër Rumanisë. Besoj se kjo qasje e FFK-së do të dëmtoj shanset e Kosovës për të fituar rastin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe reputacionin futbollistëve dhe ekipit kombëtar. FFK-ja është njoftuar për këtë arsyet e tjera kyçe të ndërprerjes së bashkëpunimit.

Gjatë angazhimit tim si avokat i FFK-së, dhe për një periudhë të caktuar edhe si ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, kam dhënë kontribut maksimal për mbrojtjen ligjore të institucionit të FFK-së, ngritjen e kapaciteteve profesionale konform praktikave ndërkombëtare, hartimin e akteve normative dhe përfaqësimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.

Në këtë periudhë:

Zyrat e Sekretarit të Përgjithshëm dhe ato ligjore, të cilat ishin thuajse jofunksionale, janë bërë plotësisht operative.

Asnjë çështje juridike kundër FFK-së nuk është humbur, pavarësisht sfidave të shumta ligjore.

Është përmbyllur me sukses procesi i licencimit, i cili filloi nga një bazë gati jo-ekzistuese.

Janë hartuar Statuti i ri dhe aktet normative, duke shërbyer si model për organizatat e tjera të futbollit.

Është mbrojtur me të gjitha mjetet juridike ri-zgjedhja e kryetarit aktual të FFK.

Kam përfaqësuar denjësisht dhe me profesionalizëm FFK-në pranë institucioneve vendore dhe organizatave ndërkombëtare të futbollit në UEFA dhe FIFA, aq sa kam pas autorizime.

Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm në futboll – lojtarë të talentuar, klube që me përkushtim mbajnë gjallë garat kombëtare dhe përfaqësojnë me krenari vendin tonë në garat ndërkombëtare, si dhe një staf të përkushtuar brenda FFK-së. Ka qenë një privilegj dhe kënaqësi të bashkëpunoj me ta.

Edhe pse nuk do të jem më pjesë e FFK-së, në cilësinë e avokatit dhe ekspertit, do të vazhdoj të jem në krah të futbollistëve, klubeve të futbollit të vendit tonë dhe lojtarëve të Kombëtareve të Kosovës.

Shpresoj dhe dëshiroj që FFK-ja të rritet dhe të forcojë kapacitetet e saj, në mënyrë që futbolli ynë të arrijë sukseset që meriton – për hir të lojtarëve, klubeve dhe vendit tone, i cili ka potencial të jashtëzakonshëm në futboll dhe urgjentisht ka nevojë për një përfaqësim më dinjitoz në arenën ndërkombëtare.

Me respekt,

Taulant Hodaj

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vajzat e presidentes Vjosa Osmani, sot festojnë ditëlindjen. E nuk…