Taulant Kryeziu i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje
Taulant Kryeziu që deri më tani ka drejtuar Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i LV-së, Albin Kurti.
“Me Taulantin në Vetëvendosje lëvizim më shpejt e sigurt drejt fitores së madhe”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Shkrimi i plotë i Kurtit:
Taulant Kryeziu është një nga ekspertët tanë më të shquar në fushën e integrimit evropian. Taulanti ka përvojë dhjetë vjeçare nga institucionet publike, akademia dhe shoqëria civile në fushën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Taulanti ka qenë bashkë-themelues i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), si dhe bashkë-themelues dhe Kryetar i Bordit Ekzekutiv të Institutit Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK). Po ashtu, ai ka qenë pjesë e botës akademike si ligjërues në universitetin publik dhe disa kolegje private në Kosovë. Në kuadër të proceseve shtet-ndërtuese ai ka pasur rol kyç këshillues gjatë negociatave të Marrëveshjes Stabilizim Asocimi në mes Kosovës dhe BE-së.
Taulanti ka mbaruar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, çmimin student i dalluar, dhe MSc nga Shkolla Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike në Londër (LSE).
Taulanti është një zë i rëndësishëm në diskursin publik për çështjet që lidhen me proceset integrues në BE, si dhe rrugën kushtetuese të procesit të dialogut me Serbinë. Puna e tij hulumtuese dhe qëndrimet e tije publike janë mbuluar vazhdimisht në media kryesore të vendit.
Taulanti është i biri i Ali Kryeziut, Jurist, diplomat, i dënuar me 5 vjet burgim të rëndë, si pjesëtar themeltar i “Grupit të Intelektualëve”, së bashku me Ukshin Hotin, Ekrem Kryeziun, dhe Halil Alidemen. Taulanti është nipi i dëshmorit te kombit Dr. Halil Berishës.
Me Taulantin në VETËVENDOSJE! lëvizim më shpejt e sigurt drejt fitores së madhe.