Taulant Kryeziu zëvendëson Shpejtim Bulliqin në Kuvend

18 dhjetor 2020 | 11:18

Taulant Kryeziu ka bërë betimin e tij si deputet në Kuvendin e Kosovës.

Kryeziu do ta zëvendësojë deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqin, i cili tashmë është zgjedhur kryetar i Komunës së Podujevës.

Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Kryeziu ka thënë se kjo është dita më sublime e angazhimit të tij publik.

“Dua të falënderoj në rend të parë familjen time të cilët kanë qenë çdo herë yll ndriçues i jetës time. Pa ta asgjë nuk do të ishte e mundur. Biseda e parë me Albin Kurtin ishte edhe e fundit për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk më është dashur më shumë se një takim për të kuptuar se Albini është e vetmja mundësi për të ndërtuar një Republikë të drejtë, të barabartë dhe prosperuese. E falënderoj Albinin për mundësinë për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe për të ofruar një kontribut modest në ndërtimin e një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Më duhet të falënderoj të gjithë votuesit dhe aktivistet e Lëvizjes Vetëvendosje!”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka theksuar se gara e 6 tetorit ka qenë përvoja e tij më e bukur profesionale. “Tani e kam detyrim që mos t’ju zhgënjej sepse meritoni më të mirën e mundshme. Sot lirinë që ne e gëzojmë, ishte si nje pishtar që u bart brez pas brezi nga të gjithë atdhetaret , gra e burra të kombit tonë ndër shekuj. Kjo rezultoi me burgosjen e qindra e mijëra te rinjve dhe të rejave, por dëshira për liri ishte më e fortë se çdo gjë tjetër. Kjo sakrificë shekullore u kurorëzua me luftën më të shenjtë, të pastër e të ndritshme të luftëtarëve të UÇK-së, luftën për liri e pavarësi. Ata nuk kursyen atë më të shtrenjtën, jetën për këtë ditë. Republika e Kosovës ia ka borxh brezave të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova, Komandanti legjendar Adem Jashari, simboli rezistencës Adem Demaçi, për një Kosovë të begatshme e cila qëndron krah për krah me shtetet tjera perëndimore si anëtare e NATO-së dhe BE-së”, ka shkruar deputeti Kryeziu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm shumëvjeçar, Zyra Kombëtare e…