Taulant Seferi: Shqipërinë e zgjodha më zemër
Taulant Seferi ishte një nga risitë e trajnerit Edy Reja për dy ndeshjet e fundit eliminatore me Turqinë (1-0) dhe Moldavinë (0-4), por futbollisti i Xamax në Zvicër nuk luajti asnjë minutë.
Në një prononcim për faqen e klubit zviceran, futbollisti i lindur në Kumanovë ka treguar ndjesitë që i ka dhënë prania në Kombëtaren Shqiptare.
“Kam pasur shumë kënaqësi në këtë eksperiencë, kam takuar lojtarët e Kombëtares. Ishte një përvojë e mirë për mua, një javë me të vërtetë shpërblyese. Shpresoja të luaja, por kjo varet nga trajneri, që zgjedh formacionin. Sidoqoftë, unë do të ruaj si një kujtim të shkëlqyer grumbullimin tim të parë në ekipin e parë. Shpresoj të thirrem sërish në ekipin kombëtar”, ka thënë ai.
I lindur në Maqedoninë e Veriut, 22-vjeçari Seferi ka kombësi të dyfishtë, por ai ka zgjedhur ta përfaqësojë Shqipërinë, zgjedhje për të cilën jo vetëm që nuk është penduar, por e bën të ndihet krenar.
“Unë luajta me të rinjtë e Maqedonisë, por më pas dëgjova zemrën”, ka thënë Seferi. /supersport.al/