Të adresohet me urgjencë dhuna ndaj fëmijëve
Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, dhe koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF kanë mbajtur tryezën e diskutimit me temën: “Integrimi i politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus në shkollë”.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi mbi modelet e integrimit të politikave dhe shërbimeve për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve.
Disa prej rekomandimeve kryesore që u adresuan nga pjesëmarrësit në këtë tryezë ishin rritja e raportimit të rasteve të dhunës, rritja e monitorimit dhe llogaridhënies të ofruesve të shërbimeve, ofrimi i shërbimeve të integruara në mes të sektorit të arsimit, shërbimeve sociale dhe shëndetësisë, rritja e numrit dhe kapaciteteve të psikologëve, pedagogëve dhe stafit mbështetës në shkolla, miratimi i Grantit të Veçantë për shërbime sociale dhe, aplikimi i programeve për prindërim të mirë.
Në këtë tryezë u tha se duhet të adresohet me urgjencë dhuna ndaj fëmijëve.
Fjalë rasti në këtë tryezë mbajtën Ardian Gola, kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Larissa Bruun, Zyra e UNICEF-it në Kosovë dhe Petrit Tahiri, anëtar i Bordit të KOMF-i.
Ndërsa pjesë e panelit të diskutimit ishin Eldin Gashi, nxënës, Ymret Rushiti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Samir Shahini, kryetar i Kolegjiumit për Arsim – Asociacioni i Komunave, Blerim Shabani, kryetar i Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale dhe Nilgyn Kosova, Policia e Kosovës.