Të akuzuarit e Speciales i dërgojnë kërkesat e para për ndihmë financiare, Selimi: Do t’i shqyrtojmë këtë javë
Ministria e Drejtësisë i ka pranuar disa kërkesa për mbështetjen financiare të avokatëve të të akuzuarve të Gjykatës Speciale.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë në një konferencë për medie se këto kërkesa do të shqyrtohen këtë javë.
Selimi ka thënë se javën e kaluar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) e ka bërë verifikimin e zyrtarëve të ministrisë që do të merren me këtë çështje.
Në këtë kontekst, Selimi ka thënë se së pari do t’i shqyrtojnë dokumentet, pastaj shumën e kërkuar të parave dhe në fund do të bëhet transferimi i mjeteve.
“Ne e kemi buxhetin e caktuar të Ministrisë së Drejtësisë, buxhet i cili ka të bëjë me Divizionin për Mbrojtjen e të Akuzuarve Potencialë. Është detyrë e jona për të cilën na obligon ligji. Nga ky ligj kanë dalë tri udhëzime administrative që e rregullojnë mënyrën se si ndahen ato fonde. Ne i kemi 7 milionë euro të cilat janë ndarë me amandamentim në Kuvend gjatë rishikimit buxhetor dhe 13 milionë euro tjera të cilat janë në buxhetin rezervë”, ka thënë Selimi.
I pyetur nëse do të ndihmohen financiarisht edhe familjarët e miqtë e të akuzuarve, ministri i Drejtësisë, ka thënë se shteti i ndihmon familjarët me paratë e vizitës që duan t’ua bëjnë të akuzuarve.
“Ligji nuk e parasheh ndihmën për familjarët, miqtë, mikeshat. Familjarët e kanë ndihmën që ua jep shteti për t’i vizituar të akuzuarit”, ka thënë Selimi.