Të akuzuarit në rastin “Pronto” kërkojnë nga Apeli të lirohen nga akuza
Pasi Gjykata Supreme e Kosovës i kishte prishur aktgjykimet e Themelores dhe të Apelit, të enjten është mbajtur seanca në Gjykatën e Apelit ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, si dhe Ilhami Gashit e Sadat Gashit.
Tre të akuzuarit gjatë kësaj seancë kanë kërkuar nga Apeli që të refuzohet ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të njëjtit të lirohen nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i të akuzuarit Grabovci, avokati Florent Latifaj, ka thënë se të enjten është mbajtur seanca gjyqësore, ku të njëjtit kanë kërkuar që të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës themelore në Prishtinë, i datës 3 janar 2020, ku të akuzuarit ishin liruar nga akuza.
“Kam kërkuar me u refuzuar ankesa e prokurorisë dhe mu vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore”, ka thënë Latifaj për “Betimi për Drejtësi”.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Gashi, avokati Mahmut Halimi, ka thënë se gjatë kësaj seance kanë propozuar që të lirohet mbrojtësi i tij, për shkak se sipas tij nuk ka asnjë element të veprës penale për të cilën akuzohet.
Ndryshe, në prill të këtij viti Gjykata Supreme e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të 30 qershorit 2020 dhe atë të Gjykatës Supreme, të 29 shtatorit 2020, për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, me ç`rast i ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe për Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin. Ky vendim i Supremes kishte ardhur pasi mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar kësaj gjykate me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.