Të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit deklarohen sërish të pafajshëm
Një seancë përgatitore në çështjen e vrasjes së udhëheqësit të Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP,) Oliver Ivanoviq, është mbajtur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Të paditurit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq , Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisa Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, u deklaruan të pafajshëm.
Tre të akuzuarit e tjerë, Zvonko Vesellinoviq, Milan Radoiçiq dhe Zheljko Bojiq, janë në arrati.
Kjo seancë përgatitore është mbajtur në bazë të aktakuzës së tretë, e cila u ngrit në nëntor të vitit 2020, sepse Gjykata e Apelit në Prishtinë e ktheu aktakuzën në Prokurorinë Speciale për ndryshim, pasi që avokatët mbrojtës apeluan vendimin për refuzimin e kundërshtimeve të provave dhe kërkuan që akuzat të hiqen, raporton REL.
Të akuzuarit ngarkohen se që nga viti 2014 e deri në vitin 2018, ishin pjesë e një grupi kriminal të udhëhequr nga Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radojçiq, si dhe për përpjekje të vazhdueshme për vënë Mitrovicën e Veriut nën kontrollin e tyre.
Gjithashtu është thënë që të akuzuarit me vetëdije dhe qëllimisht e kanë ndihmuar atë grup kriminal në mënyrë që të kryejë veprën penale, vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Konkretisht, aktakuza pretendon se Nedeljko Spasojeviq ndihmoi në kryerjen e vrasjes së rëndë, gjegjësisht, me veturën zyrtare të Policisë së Kosovës ai i transportoi autorët e atentatit në veturën Opel Astra, nga e cila është shtënë mbi Oliver Ivanoviqin.
Zarko Jovanoviç akuzohet për fshehjen e provave në vendin ku është kryer vrasja, ndërkaq Dragisha Markoviq akuzohet për shpërdorimin e detyrës së tij zyrtare duke i “dhënë informacione një zyrtari policor nga Serbia”.
Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Marko Roshiqin se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, gjegjësisht, për ndjekjen e çdo lëvizjeje të Oliver Ivanoviqit me automjetin e tij.
“Në xhepin e Oliver Ivanoviqit u gjet një letër, që tregon targat në pronësi të Marko Roshiqit”.
Gjithashtu, Silvana Arsoviq akuzohet se ishte anëtare e grupit kriminal, të cilit i ndihmoi që të kryejë vrasjen e rëndë, duke fikur kamerat për video-mbikëqyrje, në kohën e vrasjes.
Avokatët e mbrojtjes kërkuan që aktakuza të hidhet poshtë si e pabazuar. Deri të hënën, më 8 shkurt, ata do të paraqesin kundërshtimet e tyre.
Seanca përgatitore në bazë të aktakuzës së tretë është shtyrë dy herë deri më tani, më 4 dhe 11 dhjetor të vitit 2020.
Më 2 dhjetor 2019, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën e parë, mbi bazën e së cilës u mbajt vetëm një seancë përgatitore më 11 shkurt të vitit 2020.
Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.