Të bashkohemi të gjithë, ta shpëtojmë Agim Bahtirin!
Behxhet Sh. SHALA-BAJGORA me prejardhje nga Shala e Bajgorës, prandaj jam në gjendje në çdo kohë të sakrifikohem për Mitrovicën
Vlera supreme kombëtare, në rrezik: Realisht, pjesa nga e ka prejardhjen, ku jeton, ku vepron duke sakrifikuar çdo gjë, Mitrovica ka dhënë, në vazhdimësi, figura të ndritura kombëtare dhe njerëzore që e kanë shkruar historinë dhe pa të cilët kombi shqiptar dikur dhe kombi kosovar sot nuk do ta kishin asnjë kuptim. Nga Mitrovica kanë prejardhjen Isa Boletini (ndonëse rrënjët i kishte në Isniq), Aziz Zhilivoda, Xhafer Deva, Hasan Prishtina ishte aty afër, Ukshin Kovaçiqa dhe shumë të tjerë. Nga Mitrovica është edhe Nexhmedin Spahiu, një ndër baballarët e kombit inekzistent kosovar. Po nga ky qytet është edhe Halit Barani që, në fushën e të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare, ka kontribuar më shumë se të gjitha institucionet komunale të qytetit të ndarë dhe të cilin po bën përpjekje ta bashkojë, edhe me çmimin e jetës, kryepersonazhi im të cilit nuk i vijë as edhe te gishti i vogël. Nga kjo anë, përkatësisht nga Kovaçica e Shalës së Bajgorës, e kam prejardhjen edhe unë e që nuk e meritoj të jem në grupin e të “madhërishmëve”, prandaj e lashë veten në fund të listës apo, më mirë të them, në fund të pusit.
Kryepersonazhi im është një politikan, para exellance, me përgatitje dhe përvojë të madhe politike sikur që është edhe artist i gjithanshëm, shumëdimensional, i madhi, i papërsëritshmi dhe legjendari Agim Bahtiri i cili, për dy mandate, me sukses të jashtëzakonshëm po e udhëheq qytetin më problematik në Afrikë, Mitrovicën. Me naivitetin tim pata menduar se Hasan Prishtina është shembull i papërsëritshëm i një politikani ideal dhe idealist shqiptar i cili në veprimtarinë e vet bashkëdyzonte dy aktivitete që nuk i kishte asnjë politikan tjetër shqiptar; akti vetëtin politik dhe atë ushtarak. Atë që e tha në Parlamentin turk e bëri realitet sepse u bë udhëheqësi kryesor i kryengritjes shqiptare për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. Pata menduar, naiv siç jam, se i vetmi politikan shqiptar që mund ta vazhdojë veprën e Hasan Prishtinës është i Pavdekshmi Bacë Adem Demaçi, por u mashtrova si shumë herë në vlerësimin tim. Albin Kurti botërisht deklaroi se Agim Bahtiri është Hasan Prishtina i ditëve tona dhe shpresa për bashkimin e Mitrovicës dhe të Kosovës.
Albini kishte të drejtë sepse si Agimi nuk ka tjetër. E la jetën super luksoze në Holandë dhe me mallin e përhershëm dhe të përditshëm për familjen erdhi për t’u shërbyer qytetarëve të Mitrovicës dhe të Kosovës që i kishin humbur shpresat për një të ardhme të bashkuar të qytetit të ndarë. Për këtë arsye e zgjodhi partinë më kombëtare në Kosovë, Aleancën Kosova e Re dhe kryepatriotin e Kosovës, Behgjet Pacollin, në tekstin e mëtutjeshëm Gjet Macolli. E fshiu dominimin e PDK-së në këtë qytet duke e bërë humbësin e kësaj partie, së pari zëvendësministër e pastaj edhe ambasador. E fshiu edhe Valdeten sikur të ishte flutur. E sfidoi shumë Kadrinë dhe i shpalli luftë të hapur ShIK-ut, por jo edhe UDB-së dhe BIA-së. Pasi u shkretuan fushat dhe toka pjellore, e lansoi Kosovën si prodhuesen më të madhe të kërpudhave në Lagjen Kroi i Vitakut. Unë mundohem të jem patriot dhe e adhuroj folklorin e mirëfilltë ku Agim Bahtiri është mbret si dikur Shaban Bajramoviq, me një dhëmbë floriri. Agi i ka bërë flokët me gjel dhe çiçkovo ulje, me të cilën e furnizon Goran Rakiqi nga Mitrovica e Aleksandar Vuçiqit.
Agim Bahtiri ishte kundër që Mitrovica të ndahej dhe shumë herë e ka kërcënuar bashkësinë ndërkombëtare sikur edhe vetë Rakiqin me të cilin, edhe fotografohej, por edhe fliste në telefon. Në aspektin estetik, Agim Bahtiri është Monika Belluqi përballë Rakiqit. Në aspektin politik, intelektual dhe profesional, është Winston Churchill apo Bill Gates. Në aspektin e burrërisë dhe trimërisë, është Skenderbe përballë një pitbulliqi nga Mitrovica e veriut. Kurrë nuk e pata nderin dhe privilegjin ta takoj live Agim Bahtirin, por e pata dëgjuar me pasionin më të madh paraqitjen si këngëtar duke luajtur me sharki dhe duke i kënduar këngët patriotike që, edhe të vdekurin e bëjnë të gjallë. Përveç Kadrisë dhe Hashimit, Agimi ia ka treguar muskujt edhe Gjet Macollit, kuptohet, nga distanca.
Realisht, angazhimi i tij i përhershëm, e që bartë rreziqe kolosale, ishte lirimi i Urës mbi lumin Ibër për të cilën po gënjejnë edhe Rakiqi, si eksponent i popullit që gënjeshtrën e ka të kodifikuar gjenetikisht si virtyt dhe art sikur edhe këtyre burokratëve të BE-së që mendojnë se e mashtrojnë gjeniun Bahtiri duke e shëtitur nëpër Bruksel. Tash Hashim Thaçi për të shkuar në Ujman e angazhoi gjysmën e Policisë së Kosovës, të FSK-së dhe të AKI-së sikur edhe forcat e NATO-s dhe Bundesverit, kurse Agim Bahtiri shkoi fikalli vetëm, i shoqëruar vetëm nga Fidani i T7. Krahasoni, ju lutem, këto dy vizita, pastaj nuk e keni vështirë ta gjeni heroin, patriotin dhe sakrifikuesin. Ku ishin Vuçiqi dhe ku ishte Rakiqi në atë kohë si dhe ai varrtari Vulin sikur edhe ai që pshurrej në brekë kur u arrestua nga Policia e Kosovës, Marko Gjuriq? Ishin në birën e miut me çmim 300 groshë!
Agimi është i vendosur ta bashkojë Mitrovicën duke e hapur Urën mbi Lumin Ibër. Ai nuk ka ushtri, nuk ka polici, por e ka Shaqirën nga Kolumbia e cila, pa asnjë dyshim, me të dëgjuar për Agimin, do ta lë edhe Piken vetëm për të kontribuar për bashkimin e qytetit të ndarë të Mitrovicës. Agimi po thotë se është edhe një këngëtare tjetër që do t’i dal në ndihmë Shaqirës nga Kolumbia, por se nuk e zbulon identitetin e saj. Lehtësisht mund të jetë Xhenifer Lopez sepse, për t’i hyrë kësaj pune me shumë rreziqe, duhet t’i kesh bythët e mëdha e Xheniferi i plotëson këto kushte. Nëse ka nevojë për Tomahawk atëherë i propozoj Linda Morinën sepse edhe ajo është artiste e spikatur dhe këngëtare me nam. Apo Çiljetën e cila, megjithatë, e ka zvogëluar kapacitetin goditës. Për mendimin tim, Agimi është treguar shumë i mençur sepse, në përpjekje për bashkim të Mitrovicës, po mbështetet vetëm në femra. Edhe Gadafi personelin e sigurisë dhe goditës e kishte të gjinisë femërore dhe fundin e kishte jo fort të mirë, pikërisht pse e humbi këtë përkrahje.
Një urti popullore thotë se: “Uji fle, armiku nuk fle” dhe kështu ka vepruar dhe po vepron edhe Serbia. Ajo nuk po i kërcënon Thaçin, Veselin dhe Hardinajn sepse e di që nuk paraqesin asnjë rrezik. Serbia po e kërcënon me jetë vetëm Agim Bahtirin, hë për hë, për shkak se ka vendosur ta bashkojë Mitrovicën duke e liruar Urën mbi Ibër. Me gjasë, pas Agimit ka shumë mundësi të kërcënohet me jetë edhe Gjet Macolli sepse paraqet rrezik të madh për Serbinë.
Agim Bahtiri e informoi kombin shqiptar kudo që jeton, brenda dhe në diasporë, se është kërcënuar me jetë, në gjuhën serbe për shkak të angazhimit të tij politik dhe kombëtar. Është kërcënuar me postë elektronike e që është krim kibernetik. Në rastin konkret, derisa Policia e Kosovës të dalë me një rezultat, jam i prirë të besoj se dikush me Agimin qartazi ka luajtur koq… e që Agimi po e kapitalizon politikisht. Po të ishte i shkruar ky kërcënim me dorë, lehtësisht do të zbulohej kërcënuesi, duke i krahasuar shkronjat dhe teknikën e shkrimit.
Nuk meriton që Agim Bahtirin ta mbrojë vetëm Gjet Macolli, por duhet të bëhemi të gjithë bashkë, të bëhemi mburojë e gjallë e kësaj vlere njerëzore, kombëtare, politike, morale, kulturore etj. Mos pritni që Agim Bahtirin ta mbrojë Hashim Thaçi i cili nuk është në gjendje ta bëjë dallimin midis Shaqirës nga Kolumbia dhe sharkisë që aq mrekullisht e luan heroi ynë Agim Bahtiri për të cilin duhet të bëjmë të pamundurën që të mos i mungojë as edhe një qime e vetme e b…thes e lëre më koka! Jemi para një sprove të madhe, të sigurisë dhe të interesit madhor kombëtar, mbrojtja e Agimit pa të cilin nuk do të kishin agim të asgjëje, por vetëm perëndim të gjithçkaje. Të gjithë të përbashkuar, në me krye me Albinin në mbrojtje të Agim Bahtirit, ikonës dhe kuptimit të mbijetesës kombëtare. Unë ofrohem vullnetar i përhershëm për këtë mbrojtje, mundësisht të mos jem në radhët e para!