Të burgosurve në Gjykatën Speciale nuk ka kush t’ua mbrojë të drejtat e njeriut!

13 maj 2022 | 13:55

Reagim i KMDLNj-së

Aktualisht në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë, si të burgosur janë tetë (8) shtetas të Kosovës, të gjithë shqiptarë që akuzohen apo po gjykohen për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe pengim të administrimit të drejtësisë. Gjykimi kundër udhëheqësve të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ka përfunduar dhe më 18 maj 2022 pritet që të shqiptohet vendimi i Gjykatës në ndërkohë që prokurori i ZPS-së ka kërkuar gjashtë (6) vite burgim për Gucatin dhe gjashtë (6) për Haradinajn. Procesi ndaj Salih Mustafës është në fazën e përmbylljes kurse procesi ndaj Pjetër Shalës nuk do të zgjasë shumë. Ndërkaq, me aktakuzë të konfirmuar dhe, nga aspekti i të drejtave të njeriut përtej çdo afati të arsyeshëm në paraburgim po mbahen; Hashim Thaçi, ish-president dhe ish- kryeministër i Kosovës si dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, Jakup Krasniqi, për dy mandate kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Rexhep Selimi, ish- deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Përveç se ishin bartës të posteve më të larta politike dhe institucionale të Kosovës, të katër të akuzuarit ishin themelues dhe udhëheqës kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. ZPS-ja pati deklaruar publikisht se kjo Zyre është e gatshme që të fillojë gjykimin ndaj katër (4) të akuzuarve në muajin shtator të vitit 2021 në ndërkohë që ende nuk e ka dorëzuar të kompletuar dosjen paraprake të ZPS-së.

Të gjitha materialet e dorëzuara janë jashtëzakonisht shumë të redaktuara që në masë të madhe e pamundëson përgatitjen e mbrojtjes, si nga të akuzuarit ashtu edhe nga mbrojtja. Në ndërkohë që ZPS-ja ndaj katër (4) të akuzuarve ka bërë zgjerimin e aktakuzës që nënkupton se fillimi i gjykimit dhe mbajtja në paraburgim do të shtyhet edhe më shumë. ZPS-ja, në një propozim të mëparshëm pati kërkuar nga Gjykata që t’i mundësojë 1863 orë për të prezantuar dhe mbrojtur pretendimet e prokurorisë ndaj të akuzuarve e që, nëse përkthehet në dinamikën e punës së deritashme i duhet 8 deri në 10 vjet shtesë e që paraqet presedan të rrezikshëm dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria. Nëse koha e kërkuar krahasohet me kohën e shfrytëzuar në proceset kundër Millosheviqit dhe të akuzuarve tjerë të Tribunalit të Hagës del se kërkesa e ZPS-ja e tejkalon së paku 300% kohën që e ka pasur në dispozicion Prokuroria e Tribunalit të Hagës në proceset e përmendura.

Zgjerimi i akuzës do ta zgjasë për disa vjet procesin gjyqësor e që nuk është në interes të të burgosurve por është në interes të ZPS-ja dhe Gjykatës Speciale. Ishin disa paralajmërime në media se përmenden 13 të dyshuar që do të arrestohen nga Gjykata Speciale e që KMDLNj nuk e beson por se nuk e përjashton mundësinë të arrestohen deri në 5 të dyshuar. KMDLNj-ja e informon opinionin se të gjitha kërkesat për zëvendësim të masës së paraburgimit me ndonjë masë tjetër për të gjithë të burgosurit janë refuzuar nga Gjykata, me kërkesë të ZPS-së.

Përveç arsyetimeve stereotipe, si fakt për refuzim janë përdorur intervistat dhe deklaratat e analistëve politikë, deklaratat e politikanëve etj., duke thënë se të burgosurit kanë ndikim edhe nga paraburgimi në proceset politike në Kosovë!!! Nuk ka rast më eklatant të shkeljes së parimit të prezumimit të pafajësisë përmes stigmatizimit publik se që është bërë ndaj të burgosurve, shtetas të Kosovës pikërisht nga ata që është dashur, nëse jo t’i marrin në mbrojtje atëherë së paku është dashur të mos deklarohen. Të drejtat e të burgosurve, shtetas të Kosovës janë të rregulluara me Rregulloren e Njësisë së Paraburgimit, Rregullave Evropiane të Burgjeve dhe, si standard më i lartë i supozuar sipas Kombeve të Bashkuara zbatohen Rregullat e Nelson Mandeles. Ndonëse nominalisht është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe deklarohet si pjesë e sistemit juridik të Kosovës, Ligji për Ekzekutim të Sanksioneve Penale i Kosovës, jo që nuk zbatohet por as që përmendet, Pasi Gjykata Speciale ishte votuar në Kuvendin e Kosovës nën kushte të presionit të madh dhe shantazhimit të deputetëve, me marrëveshjen e mëvonshme e sidomos me aneks marrëveshjen që ka qenë krejtësisht jotransparente, institucionet e Kosovës janë zhveshur krejtësisht nga çdo vendimmarrje dhe tërë sovraniteti vendimmarrës i është bartur Gjykatës Speciale duke instaluar një raport dhe mendësi raciste në trajtimin e personave të privuar nga liria. Kosova në Gjykatën Speciale është e përfaqësuar vetëm përmes shtetasve të saj të arrestuar dhe si palë e akuzuar për krime lufte kundër të drejtës ndërkombëtare në fushën e të drejtës humanitare. Të gjithë të tjerët, hetues, policë, prokurorë, gjykatës, administratorë, oficerë korrektues, staf administrativ dhe çdo i punësuar aty janë shtetas të huaj. Madje edhe përkthyesit janë shtetas të huaj dhe asnjëri nuk është shqiptar apo shtetas i Kosovës. Edhe Gjykata e Nyrembergut ka qenë më e drejtë dhe më gjithëpërfshirëse sepse ka gjykuar dhe dënuar palëte përfshira në luftën e dytë botërore si gjermanë, italianë, japonezë etj., kurse Gjykata Speciale në menynë e inkuzicionit juridikë ka përfshirë vetëm shqiptarët.

Në kontekst të shkualifikimit të institucioneve të Kosovës nga çdo përgjegjësi dhe e drejtë, Gjykata Speciale mandatin monitorues i ka dhënë ekskluzivitet vetëm Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gjenevë dhe Ombudspesonit të Holandes kurse nuk lejon asnjë organizatë monitoruese nga Kosova ndonëse Kosova ka kapacitet shumë profesional të monitorimit të Qendrave të privimit nga liria dhe proceseve gjyqësore. Kohëve të fundit janë shpeshtuar vizitat e politikanëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria të burgosurve në Hagë ndonëse shikuar nga aspekti moral do të ishte e papranueshme vizita e personave të tillë sikur që edhe politikisht është e dëmshme sepse konsiderohet si ndërhyrje në drejtësi. Qendrat e paraburgimit dhe burgjet zakonisht nuk vizitohen nga politikanët sepse ata as nuk kanë mandat e as kapacitet dhe dije monitoruese. Politikanët që po i vizitojnë të burgosurit në Njësinë e Paraburgimit në Hagë kryesisht e bëjnë për përfitime politike, sidomos këta të pushtetit aktual dhe po mundohen ta luajnë rolin e Pont Pilatit e që nuk e kanë aspak seriozisht. Për të qenë një monitorim i suksesshëm duhet të jetë një mirëkuptim dhe mirëbesim midis palës monitoruese, personave të privuar nga liria dhe zyrtarëve që kanë përgjegjësi konkrete dhe të drejtpërdrejtë për personat e privuar nga liria. E kjo nuk ka qenë gjatë asnjë vizite të politikanëve deri më tani e as që do të jetë në të ardhmen. Për këtë arsye KMDLNj-ja mendon se këto vizita janë të panevojshme, të dëmshme dhe, në disa raste në kundërshtim me rregullat elementare minimale të moralit. Me këto vizita po krijohet një alibi se kjo Gjykatë është transparente e që nuk është aspak e vërtet, se qenka demokratike për faktin se lejon vizita të politikanëve, madje edhe të atyre që me deklaratat e tyre të papërgjegjshme mund të konsiderohen si kontribues të Prokurorit të Specializuar në ndërkohë që pikërisht Prokurori i Specializuar thirret në këto deklarata gjatë kërkesës për vazhdim të paraburgimit duke deklaruar se edhe nga burgu kanë ndikim.

Të burgosurit e Gjykatës Speciale në Hagë nuk kanë aspak nevojë për vizita të politikanëve që duan të përfitojnë politikisht dhe materialisht nga këto vizita por kanë nevojë për vizita të shtuara familjare, për vizita të monitoruesve të pavarur dhe kompetentë që nuk kanë nevojë të takohen me kryetaren e kësaj Gjykate për ta bërë një foto për moto por për ata që me përkushtim dhe profesionalizëm do të monitorojnë kushtet ku ata mbahen të privuar nga liria dhe respektimi i të drejtave të njeriut që iu takojnë ndonëse janë të burgosur sikur edhe inspektimi i kushteve fizike aty ku janë të vendosur, qelitë, shëtitorja, banjot, qendra shëndetësore, shitorje e burgut, kuzhina, biblioteka dhe lokacionet tjera. Të gjitha vizitat e deritashme kanë qenë e kundërta e vizitave të monitoruesve prandaj, në mungesë të një monitorimi profesional, të besueshëm dhe të kompletuar dhe këto vizita kanë përfunduar me deklarata puro politike dhe me një foto me Ekaterina Trandafilova. Në këtë fazë të procesit gjyqësor, të privuarit nga liria kanë nevojë që kohën ta shfrytëzojnë për përgatitjen e mbrojtjes e jo në takime me politikanë që nuk kanë asnjë ndikim dhe nuk mund të ndikojnë me asgjë për përmirësimin e kushteve për të paraburgosurit. KMDLNj-ja nuk e ka të qartë se çfarë roli mund të kenë në përmirësimin e kushteve për personat e privuar nga liria, shtetas të Kosovës vizitat e ministres së Drejtësisë, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit (të paralajmëruara) përveçse do të përfitojnë publicitet politik dhe mëditje ndonëse i kanë pagat e rregullta! Këta, në radhë të parë duhet të angazhohen për praninë e monitoruesve të pavarur nga Kosova të cilën, jo që nuk e kanë bërë deri më tani por edhe e kanë penguar.

Prandaj nuk kanë të drejtë të flasin për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria. Të burgosurit e Gjykatës Speciale, të gjithë shtetas të Kosovës dhe shqiptarë janë në gërshërë midis qasjes inkuzicionale të ZPS-së me partnerin e vet të besueshëm, shërbimin informativ dhe kundërinformativ të Serbisë, në njërën anë dhe disa politikanëve të pasinqertë kosovarë që sot po përpiqen të shpëlahen nga deklaratat nga e kaluara. Në këto rrethana nuk mund të flitet për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria që mbahen në Njësinë e Paraburgimit në Hagë. Edhe vizitat të ashtuquajtura humanitare të Kadri Veselit dhe tash e Hysni Gucatit janë në një nivel shumë më të ulët humanitar se ato që organizoheshin nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë në Hagë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kuvendin e Kosovës është duke u diskutuar Projektligji për…