Të burgosurve u mundësohet mësimi i gjuhës angleze
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kolegjin “Universum O.P”, memorandum ky, i cili për herë të parë do t’iu ofrojnë mundësinë të burgosurve, me theks të veçantë të miturve dhe grave në institucionet korrektuese në Lipjan ndjekjen e kursit të gjuhës angleze.
Studentët e kolegjit do të angazhohen si asistentë për mbajtjen e kursit, ndërsa pas përfundimit, të burgosurit do të pajisen me certifikata për përfundimin e kursit përkatës.
“Memorandumi bashkëpunimi shënon një hap tjetër të rëndësishëm drejt ofrimit të mundësive të reja për të burgosurit, veçanërisht në zhvillimin e aftësive të tyre në gjuhën angleze. Ky është edhe një hap tjetër pozitiv i ShKK-së drejt korrektimit dhe riintegrimit të të burgosurve në shoqëri”, ka njoftuar Shërbimi Korrektues të Kosovës (ShKK).