TE DARDHA E METIT
Riza Greiçevci
(Kushtuar shkrimtarit të ndjerë, Mehmet Kajtazi,
ose qasje për ta hapur portën e një jetëshkrimi…)
1.
Në katundin, Shpati, një pjesëtokë e Dardanisë
të motit 2018, Fillimshekulli i Ri
për hatër të Vlorës, Krujës, Çamëri
për hatër të nënës Zelfie, babë Aliut
për hatër të Heroit të Kombit, Skënderbe
për hatër të Dardhës së Metit, e mbolli gjyshi Li
sot po afrohen yjet, qielli e toka ma ngatë
hapet Shtëpia e Diellit, e para në Planetin Tokë
këtu ku prehet në paqe shpirt i gjyshit Met
bën me dije mbesa poete, Marena Kajtazi, vetë!
Shpesh shëtisnim mbi krahë të poezisë
unë, mbesa Marena, dhe im gjyshi Meti
fluturonim gjithandej ku jetohet, vdiset shqip
vizituam Çamërinë, edhe Dardhën e Metit
edhe Varrin e Adem Jasharit
edhe djallarët e gjyshit, në Klinë të Epërme
edhe Vitakun, u takuam me bacën Lilë
edhe mendtarin Mujë Loshi e vizitonim
edhe Pemishtën, Kotorrin, Radishevën
edhe Izbicën, Kopiliçin, Lekajn, Likocin
e u takonim me plakun Dërvish Goxhuli:
“Dikujt i duhet nën gjuhë një kokërr pasuli”
3.
Më se shpeshti e pyesja gjyshin, Met
pse gjithë ditën e, që besa, bota krejt
po, po, edhe unë, Marena, e kam parë
kushedi pse rrallë rrinte n’odë
tepër rrallë pushonte në hije të fllanikut
tepër rrallë mbështetej për stogu t’sanës
tepër rrallë hante kokrra të dudit
tepër rrallë ulej në hije të arrës
eeeee, pa lindur dielli zgjohej gjyshi im Meti
e përcillte nga oborri një e lehur këlyshi
me do libra, fletore, lapsa, gazeta
i thoshte shtëpisë: “Djepi, sofra ime, tungjatjeta!”
motër Fatmirja ia binte sillën
vëlla Sheremeti tre herë në ditë i binte duhan
motër Nexhmija, në mesditë, sillte drekën
motër Adillja sillte kajsia, kumbulla, duda…
vëlla Fazliu, Metit, i sillte ujë
biseda e Nanës Zelfie, me djalin e madh, Metin
ishte e gjatë, sot e asaj dite, askush s’e di sekretin!
Tërë ditën e lume, karshi dritares
s’e mori vesh askush nga Shpati
ç’bisedonin, gjyshi Meti, dhe Dardha
herë qeshnin, herë-herë dëgjohej piskama:
“Mëso të dish shumë, o i biri Ali Kajtazit,
por mos ia thuaj të gjitha ato që i di:
as hasmit, as mbretit, as krajlit!”
4.
Më tutje, rrëfente mbesa e Mehmetit
si një flutur lozonjare Mirena e Besit
miku im i profesionit, i penës, maleve, i dertit
ç’i kishte thënë mbesës, Marena, për Dardhën
aty ku e çonte kohën ditën, shpesh edhe natën:
Kjo dardhë, ballaballë dritares së shtëpisë
është sofër ku ha bukë, pi ujë, rri me Shqipërinë
fshehtësitë e saj s’ia tregoi askujt
kjo dardhë është oxhaku, ku i pjek mendimet
degët e Dardhës janë kompjuter
i shkruaj shkrimet nga Kosova n’Goli-Otok
kjo dardhë është çifteli e Sali Manit
kënga e rapsodit, amanet, djalë pas djalit:
“Pa Shqipëri s’ka Kosovë, pa Kosovë s’ka Shqipëri!”
Nën kurorën e kësaj dardhe, la kujtim Meti:
nga kjo dardhë i pashë plisat e bardhë në Tivar
të përgjakur, koka, duar, copa mishi t’shqiptarit
nga dardha pashë Bacin Li, me cigarlluk t’qelibarit
bashkëluftëtar i komandant Shabanit
pashë shpirtin e gjyshit tim fytafyt
me kriminelët e masakrës së Tivarit
nga kjo dardhë shihet Shqipëria, Krujë, Vlorë
nga kjo dradhë shihen yjtë, planete, meteorë
nga kjo dardhë shihet Evropa me shtatë koka
të mos harrosh, ime mbes, Marena
nën kurorën e kësaj dardhe, dolën në jetë:
“Nata në gur’’, “Plaku dhe urat’’, “Fundi i legjendave’’, “Shqiptarët në Goli-Otok’’,
“Ushtimë e Alboderit”, “Shote Galica”,
“Minatorët”, “Thikë në portokall”,
“Gjeli i katedrales”, “Santa Ana”,
“Guri i dallëndyshes”, “Lindja në qiell”,
“Udha i”, “Ndezja e shiut”, “Një diell tjetër”
“Zemër e thyer” dhe “Kodra e Pajtimit”.
5.
Vetëm sa kishte mbaruar moti 1970
Mehmet Haziri, nga Leçina erdhi në vendlindje
Sankoc, të me shihte si dukesha mësues
bashkë vizituam varrin e poetit e mësuesit Fazli
unë, ballë varrit të kushlëririt tim
poetit Mehmet ia lexova dy rreshta poezi:
“Le të përzihen tokë edhe det,
o kush nuk vdes për flamur të vet!”
(Vargje nga libri im (1991) për Fazliun:
“Flamur nga Drenica”)
Me mikun tim të profesionit, të penës, maleve, Metin
u takuam në lokalin “Arabeska”, në Prishtinë
i kishin pëlqyer vargjet e poezisë sime
“Ato me plisa të bardhë”, me shtrëngoi për gjoksi, shpërthej me zë prej burri:
“Ti s’di me shkrue poezi… dil me një libër të ri”
Fati e deshi, faleminderit, o Perëndi,
u bëmë miq të profesionit, të penës, të maleve
në gazetën “Rilindja”, gazetar që të dy
por, unë, për besë, s’isha as hija e tij!
6.
Kur fliste, gjyshi Meti, fliste ëmbël
kur qeshte, qeshte ëmbël
kur këndonte, këndonte ëmbël
kur thërriste nanë, e dëgjonin yje dhe hanë
kur thërriste Shqipëri, shembej ai gjarpër kufi
kur thërriste: Drenicë, ushtonin lugjet e Qyqavicës
dëgjohej pushkë e Emin Latit, Shotës, Azem Galicës
kur thërriste Fehmi, Xhevë, Agim, Adem Jashari
fliste fuqishëm, si rrufeja:
“Në odën e Shaban Jasharit u lind UÇK-ja!”
fjalën s’e hidhte si top, por sikur flegër
me shpatë dytehore, prente, rrëzonte, si letër
frikacakun, hileqarin, injorantin,
çonte lart grushtin mbi ta, i qortonte egër:
Trupin n’Kosovë, kokën pas shpine,
s’jeni farë shqiptari, o rod sorrëshkine!
7.
GJERGJI NË TOKËN E GJERGJIT
(Vargje nga libri im, titullin e të cilit,
ma propozoj, Mehmet Kajtazi!)
Gjergj matanë. Gjergj këtanë.
Matanë tokë e Gjergjit. Këtanë tokë e Gjergjit.
Matanë atdhe i Gjergjit. Këtanë atdhe i Gjergjit.
Shkoi Gjergji në tokën e Gjergjit.
Erdhi Gjergji në tokën e Gjergjit.
Shkoi Gjergji, erdhi Gjergji.
Gjergj në Krujë, Gjergj në Prekaz.
– Mirë se erdhe, Gjergj, vëlla!
– Mirë se të gjeta, vëlla, Adem Jashari!
– Gjergji me Gjergjin.
– Gjergji shkoi te Gjergji.
– Gjergji u kthye te Gjergji.
8.
Zogjtë morën fluturimin qiellit bilur
mali bëri me dije malet
arat bën me dije bujqit
bujqit bënë me dije plugët
gjyshërit bën me dije lulëkuqet në grurë
Baci Li bëri me dije shkabën mbi flamur
Nana Zeflie thirri nuse, vasha, vegje
motrat, thirren defa, valle, këngë
krojet u thanë lumenjve
bletët u thanë luleve
fëmijët bënë me dije nanat
nanat bënë me dije magjet
gjithandej Dardanisë
cep me cep Drenisë
deri në veshë të Vlorës, Krujës
Prekazi e bëri me dije Shqipërinë
Shqipëria e bëri me dije Çamërinë
Çamëria e thirri Hashaninë
Hashania e thirri Iliridën
në katër anët e horizontit mbërrti lajmi:
Sot, në katundin Shpat, me t’vërtetë
ndodh një mrekulli, nga toka deri në planet
hapet një Shtëpi e Diellit
do marrin pjesë, bën me dije mbesa Marenë
edhe Dradha e Metit, edhe shkrimtari Met!
Ca minuta para hapjes së Shtëpisë së Diellit
S’dihej nga erdhi, nga deti a nga bota e planetit
erdhi një Zë, bash të Dardha e Metit
foli nana Zelfie, turma sy e veshë :
“Bijtë e mi, ky za ka dalë nga Bahçjai e Xhenetit
mirë e njeh nana Zelfie, ky za ashtë zani i Metit!”
Interesant:
Kur u hap kurora e Dardhës së Shpatit
Zani fuqishëm jehoi, ishte zani i shkrimtarit:
Me njihni ju, o nuk me njihni, unë nuk e di
Një gjë dihet sot e mot: Jam fëmijë, jam shkrimtar,
jam baba i Besimit, i Dritonit, i Migjenit, i Mirditës, Linditës ! Jam gjysh, jam mal, jam krua, jam lule,
jam Tërrnava! Jam Dardha e Metit.
Jam djalë i Bacit Li!
Unë u njoh juve, fillepërpe: Ju jeni Shqipëri!
I lus gojët, sytë, shpirtrat, zemrat shqiptare
i lus këngët, lulet. E lus Dardhën e Metit!
Varrin e Bacit Li! E Lus pushkën e legjendarit…
Erdha t’u bëj me dije:
Do hipi në majë të majave të Alpeve shqiptare,
nga atje do ta thërras: Biblën e dashurisë!
Do ta thërras e do ta lus që ta përzë nga trojet e Dardanisë shpendin kobzi, Qyqe e Qyqes Qyqe!
Boll kukoi në konaqe, mbi kulme të kullave tona!
Brejti trojet e Shqipërisë etnike
Shtriga me një dhëmbë!
Kukoi, vajtoi mbi varre tona! Plisa e lisa!
Ky shpend sojzi! As ka çerdhe, as djep, as
s’ka nevojë për të Shqipëria, Dardania, Çamëria,
për qyqe të qyqeve qyqe. Për lot e vaje!
Shpenditë e Drenisë çerdhet e veta i kanë.
Në to çelin e rrisin zogjtë e vet.
Ata kanë gjuhën, fushë e male, Atdheun e vet!
The qafën, nga trojet e lashta t Ilirisë,
o shpend i kobit, i turpit, i ligshtisë…
– Të uriturve, bukë!
– Syve të verbër, dritë!
– Tokës: shi!
– Robit, liri!
– Fëmijëve, lumturi!
– Kokës, dituri!
– Atdheut, dashuri!
10.
Edhe malet u pajtuan!
Edhe lulet, bletët, pëllumbat u pajtuan!
Edhe pena e veprat letrare të Metit, u pajtuan!
Edhe minatorët e Baci Li, u pajtuan!
Edhe vendlindja e Metit, shpi për shpi, u pajtuan!
Edhe shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova, u pajtan!
Shtëpia e Diellit, në katundin Shpat, të pagëzohet:
SHTËPIA PËRKUJTIMORE “TË DARDHA E METIT”
Shpërthyen valle, këngë, melodi, urime, zëra:
“Dielli kurrë s’ka me t’tha, shiu kurre s’ka me t’la”.
11.
Të pranishmit sytë i bënë katër
e zemrat i mbushën ëmbëlsi poetike
me vargjet e poezive të mbesës së Metit
Marena Kajtazi, poete dhe piktore
që besa edhe mësimi i shkon shumë përdore
uruan e përgëzuan vargjet e Marenës, pa hatër
kushtuar vendlindjes dhe gjyshit Met
vargje të ëmbla, bashsikur sherbet
libri i parë me poezi rrafsh një planet
vargje për flamurin, për gjyshin, ushtarin
vargje për librin, mësuesen, gjyshen e babanë
vargje për shkollën, natyrën, Adem Jasharin
vargje për stinët, për shiun, për zogj e për flutura
vargje për macen, lejlekun, për ujin, zjarrin
rrafsh një planet me poezi
shkroi drenicarja Marena Kajtazi, me duar flori
10 ekzemplarë ia dhuroi Shtëpisë Përkujtimore
“Dardha e Metit”
Të gjitha shkronjat, rimat, vargjet poetike
ia kushtoi gjyshit Met, por edhe gjyshes Salë
krejt fëmijët e Kosovës janë vargjet e mia
krejt buzëqeshjet, lumturia, e Kosovës liria
janë vargje për librin e dytë, pa tjetër
mollë e dardhë, qershi, shalqi, pjepër…
Faleminderit, babë Besimi, ti nana ime
që më lindët, më rritët, me diell, lule, dije!
Drenicë, fillim qershor 2018
Punim i A. H. Kajtazi