Të dënohen ata që s’i respektojnë masat ndaj koronavirusit
Doktori Shemsedin Dreshaj nga Klinika Infektive ka kërkuar që të merren masa ndëshkuese ndaj atyre që nuk i respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.
Ai ka thënë se rritja e madhe e numrit të rasteve me COVID-19 vjen për shkak të mosrespektimit të masave nga qytetarët.
Dreshaj ka thënë se në Infektive aktualisht janë rreth 70 pacientë të hospitalizuar, me 30 për qind e tyre në gjendje më të rënduar shëndetësore. Rreth 20 pacientë janë në oksigjenoterapi, ndërsa një pacient është në gjendje shumë të rëndë, sipas Dreshajt.
Ai ka thënë se Klinika Infektive aktualisht ka materiale të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga koronavirusi, por ka shtuar se duke u bazuar në trendin e rritjes, duhet të mendohet për furnizime shtesë.
“Me sa duket popullata jonë është më shumë liberale se që duhej të ishte, më trime se që duhej dhe kjo trimëri e sjellje e papërgjegjshme e qytetarëve tanë ka rezultuar me fluks të tillë të sëmundjes për shkak se ne nuk po i respektojmë rekomandimet e bëra si nga OBSH-ja ashtu edhe nga MSH-ja e IKSHPK-ja, por edhe të ekspertëve. Duhet të mendohet të ketë edhe masa ndëshkimore për mospërdorim të maskave, mosrespektimin e distancës sociale, si në institucione shëtitore, private e lokale afariste e ambiente të jashtme ku qytetarët as që po i mbajnë maskat”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.