Të dhënat bankare të rrezikuara, kërkohet më shumë kujdes dhe siguri
Qytetarët e Kosovës janë përdorues mjaft aktivë të shërbimeve të ndryshme online dhe blerjeve me kartela bankare, por me rritjen e teknologjisë është rritur edhe pasiguria tek ata, pasi ka raste të keqpërdorimit të kartelave dhe mënyra të tjera me të cilat po i preken të ardhurat e tyre.
Policia e Kosovës i ka thënë “Kosovaress”-it, se nga janari i vitit 2020 e deri në qershor të vitit 2022, ka trajtuar rreth 70 raste të keqpërdorimit të kartelave bankare. Sipas policisë, disa prej formave të evidentuara janë mashtrimet në ueb-faqe dhe rrjete sociale, mashtrimet e bizneseve përmes internetit, “Peshkimi i të dhënave ose fishing” dhe klonimi i kartelave bankare
Tentimet për mashtrimin e qytetarëve vazhdojnë të jenë të ndryshe. Disa u kërkojnë qytetarëve të dhënat personale kinse kanë fituar ndonjë shpërblim, e disa paraqiten si të punësuar në bankë, duke kërkuar të dhëna bankare.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Mentor Hoxhaj, ka thënë për “Kosovapress” se bankat duhet të mbajnë fushata ndërgjegjësuese lidhur me këtë problematikë, gjë që ai nuk ka parë ende nga bankat në Kosovë.
“Të gjithë tentojnë që të arrijnë deri tek të dhënat financiare dhe mënyra më e lehtë që të vidhen të dhënat bankare.. Kemi personat të cilët tentojnë të mashtrojnë qytetarin me arsyetime të ndryshme, qoftë që qytetari ka fituar ndonjë shpërblim apo banka quhet si auditor apo person i certifikuar i bankës dhe kërkon të dhëna të tilla bankare. Bankat të mbajnë fushatë ndërgjegjësuse lidhur me mashtrimet, në momentin e parë që ndodh një lloj mashtrimi të vendos apo të rris masat e kontrollit dhe t’i njoftoj qytetarët. Nuk kam parë deri më tani asnjë këshillë të asnjë prej bankave, se si duhet të kujdesemi për kartelat bankare. Po tregoj për një rrezikshmëri të madh ku ne të gjithë i ekspozohemi vjedhjes së të dhënave bankare dhe në hapësirën kibernetike do të shohim çdo ditë e më shumë, dhe normalisht këto mashtrime do të perfeksionohen çdo ditë e më shumë”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj ka theksuar se në “Black Friday” organizohen mashtrime të mëdha dhe qytetarët që blejnë online, duhet të kujdesen që të mos japin shumë të dhëna personale.
“Kujdes që ‘Black Friday’ mos jetë në black për ju, sepse në ‘Black Friday’ bëhet një fushatë jashtëzakonisht e madhe e mashtrimit, të shpërblimeve të ndryshme apo të zbritjeve të ndryshme, qytetarët duhet të kenë kujdes të shtuar në këtë drejtim. Në gjitha rastet kur blini online në asnjë rast nuk duhet të jepi kodin prapa. Duhet të jenë tepër të kujdesshëm në shitjet online sepse në momentin e parë që ju bëni blerje, banka nuk e merr asnjë përgjegjësi. Të gjithë ata që janë djegur e kuptojnë që banka merr zero përgjegjësi për blerjet online. Bankat janë 99.9 për qind të sigurta për vete, për të dhënat dhe parat e tyre. Në këtë drejtim vetëm 0.01 për qind kujdesen për sigurinë e të dhënave të klientëve, që klientët të mos të jenë të mashtruar dhe të vjedhur online. Keqbërësit nuk i duhet më shumë se një metër e gjysmë që ta vjedhin të dhënat e kartelave tona banka. Folia mbrojtëse kushton më pak se 30 cent, kaq mjafton që ju të investoni për t’i mbrojtur të dhëna e juaja”, është shprehur ai.
Ndërsa ekonomisti Mustafë Kadrijaj, ka theksuar se vendi ynë duhet ta rris vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me qytetarët.
Ai e ka konsideruar shqetësuese këtë dukuri që krijon pasiguri te qytetarët, sepse sipas tij, po preket gjëja më me vlerë, paraja dhe të dhënat e tyre personale.
“Organet shtetërore duhet ta ngrisin vigjilencën, por ata nuk mundin thjeshtë ta kryejnë detyrën pa e pasur bashkëpunimin si nga qytetarët, bizneset relevante.. Është shqetësuese dhe krijon pasiguri te qytetarët se a mund të jetojmë në një vend kur nuk kemi siguri në të dhënat personale…vlerësoj që në këtë drejtim, organet duhet ta rrisin vigjilencën sepse kjo është një shtysë më shumë që qytetarët nuk mund të jetojnë në një vend që nuk kanë siguri, sepse mund t’iu preket gjeja më e ndjeshme që është portofoli i qytetarit dhe të dhënat e tyre personale. Keqpërdoruesit dhe dilerët që merren me këto, është shtrat i tyre edhe ata tentojnë me çdo kusht të vijnë deri në qëllimin e përfitimit të mjeteve monetare”, është shprehur Mustafa.
Gjithashtu, ai ka thënë se shteti ka obligim sigurinë e qytetarin, pasi kjo ndikon në të ardhurat e qytetarit.
“Në këtë drejtim shteti ka obligim të krijon siguri sepse nuk mund askush të mbaj vende të punës dhe të krijoj biznes sepse në moment të caktuar e gjitha ajo djersë dikush mund ta merr, kjo është e papranueshme dhe vlerësoj që institucionet duhet ta marrin si një lloj alarmi që të ngritët vetëdija edhe vigjilenca e tyre. Gjithsesi se duhet të punojmë me banka dhe me institucionet por duhet të rritet siguria sepse nuk mund ta kem vetën në pikëpyetje si qytetarë dhe si biznese, ku çdokush mundet me i hakuar apo me i dëmtuar ato llogari në fakt iu dëmtohet jeta e qytetarëve. Qytetarët nuk ia kanë për borxh tek institucionet që të ketë pasiguri, për atë arsye ekzistojnë institucione të cilat edhe paguhen taksa për t’i krijuar ato institucione të cilat sigurojnë siguri dhe bazë e zhvillimit ekonomik, gjithmonë është siguria e një vendi”, ka thënë Mustafa.
Në anën tjetër, qytetarët kanë thënë se institucionet e Kosovës dhe bankat duhet të ofrojnë më shumë siguri.
Besim Ahmeti nuk ishte vet viktimë, mirëpo ka thënë se është skandaloze si dukuri. Sipas tij, arsyeja e kësaj dukurie është përparimi i teknologjisë.
“Prej përvojës time nuk kam pasur asi lloj raste. Është skandaloze nëse vidhen të dhënat e tua personale përmes bankës është dobësi e bankës, të metat e bankës. Banka duhet të ketë nivel të lartë të sigurisë. Ku duhet me pasur siguri më të madhe se në bankë.. Kjo është një problem përtej kapaciteteve tona, po dëgjoj se ka vjedhje, hakera, ka njerëz që shkojnë përtej aplikacioneve që kanë bankat, ka mbërri teknologjia, besoj se kjo është arsyeja”, ka thënë ai.
Kurse, qytetari që jeton jashtë vendit, Tahir Shabani, ka thënë se të dhënat duhet të jenë kofidenciale dhe se kjo dukuri duhet të ndiqet penalisht.
“Kjo është skandal dhe nuk është në rregull. Të dhënat bankare nuk guxon përveç bankës dhe personin ta ketë një drejtë të tillë të shfrytëzimit. Në Gjermani numërohet si faj i bankës sepse banka ka për detyrë të bëjë sigurimin e të dhënave personale të secilit klientë që e ka, nëse nuk e bënë atë, atëherë i humb klientët, banka duhet të jetë shumë e kujdesshëm më klientët. Duhet të kyçet prokuroria dhe t’i ndjek penalisht nëse ato të dhëna keqshfrytëzohen apo keqmenaxhohen nga dikush tjetër”, ka thënë ai.
Edhe Demë Hajzeraj, ka thënë se duhet përkushtim më i madh i institucioneve shtetërore dhe personelit të bankës.
“Dukuri e keqe, duhet një angazhim, përkushtim më i madh për këtë dukuri që po ndodhin nga ana e institucioneve shtetërore, nga ana e vetë personelit të bankës. Me siguruar banka me gjet metoda të tjera me u siguruar objekti. Unë jam pensionist, nuk kam bankë as para. Një aktivitet i shtuar që i zbulon mashtruesit dhe me ndërmarr masa që me angazhuar njerëz adekuat për me u ndal këto.. Kanë përparuar aftësitë me ndërhyrë në sistem bankar edhe në internet”, ka thënë ai.
Përndryshe, cak i sulmeve më të gjëra kibernetike kanë qenë edhe institucionet, ndërmarrjet dhe kompanitë private në Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Qeveria e Kosovës pati thënë se asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave. Sistemet qeveritare në Kosovë janë ballafaquar gjatë këtij viti me sulm kibernetik të llojit “DdoS” që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Faqja e Kryeministrisë, disa ministrive, ajo e Policisë së Kosovës, Platforma e-Kosova dhe disa media, kanë qenë në shënjestër të sulmeve kibernetike.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI) është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël.
Sipas tyre, në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm dhe aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Pas pengesave disa orëshe, të gjitha shërbimet qeveritare i janë rikthyer normalitetit.
Me sulme kibernetike është ballafaquar edhe njëra prej telefonive kryesore, Telekomi i Kosovës. Nga kjo kompani kanë thënë se, janë identifikuar IP adresat prej nga kanë ardhur sulmet por që nuk e kanë treguar burimin.
Edhe sulmi që ka goditur telekomin njihet si DDoS, përmes të cilit krijohen pako të rrejshme në rrjet, nga shumë kompjuterë. Sipas drejtuesve të Telekomit, rreziku i vetëm ka qenë ngarkesa në rrjet duke mohuar se ka pasur përpjekje për të hyrë në sistemin e Telekomit, ku do të rrezikoheshin të dhënat e konsumatorëve që marrin shërbime prej kësaj kompanie.
Pas sulmit masiv, institucionet kanë thënë se janë duke analizuar situatën për të identifikuar se prej nga erdhën ato. Kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte realizuar një vizitë urgjente në Tiranë, ku ishte takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Mes tjerash ishte biseduar edhe për sulmet e fundit kibernetike.
Për ta rritur nivelin e sigurisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, përmes të cilit themelohet Agjencia për Siguri Kibernetike. Projektligji përcakton parimet e sigurisë kibernetike, institucionet që zhvillojnë dhe zbatojnë politikën e sigurisë kibernetike, si dhe përgjegjësitë e autoriteteve në këtë fushë.
Ndërsa ekspertë të sigurisë kibernetike i kërkuan qeverisë që urgjentisht t’i bllokojë të gjitha IP-të nga vende si: Irani, Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut.
Po ashtu, edhe Shqipëria është ballafaquar me disa sulmet kibernetike iraniane. Sulmi kibernetik iranian ndaj Shqipërisë kërcënoi të paralizojë shërbimet publike dhe sistemet digjitale, të hakojë të dhënat shtetërore dhe të mbjellë më tej kaos. Hakerët publikuan të dhënat personale të anëtarëve të qeverisë shqiptare.
Sipas një analize të “Microsoftit”, sulmet kibernetike ndaj Qeverisë së Shqipërisë janë të motivuara politikisht dhe prapa tyre qëndrojnë aktorë që janë të lidhur me Qeverinë e Iranit. Pas sulmit, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin duke i dhënë 24 orë kohë stafit diplomatik të Ambasadës s këtij shtetit që të largohet nga Tirana.