Të dielën derbi Peja – Prishtina

11 shkurt 2023 | 09:52

Java e 22-të në Prince Caffe Superligë do të dhurojë disa ndeshje mjaft interesante, kurse derbi do të zhvillohet ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës.

Njëkohësisht kjo është xhiroja e fundit para “Final 8” e Kupës së Kosovës, që zhvillohet nga 15 deri më 19 shkurt në Rahovec.

Pejanët kanë 14 fitore e shtatë humbje, kurse prishtinasit 16 fitore e pesë humbje, duke e bërë këtë sfidë edhe më interesante. Skuadrat kanë pasur formë të ndryshme, me “verdhezinjtë” që e nisën për mrekulli kampionatin, kurse “bardhekaltrit” nuk dinë për humbje në xhirot e fundit.

Në takimet mes tyre në këtë edicion, pejanët fituan dy ndeshjet e para, kurse në të tretën fitoi bindshëm Prishtina 83:45. Takimi i parë i kësaj xhiroje zhvillohet në Mitrovicë, ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Trepçës. Prizrenasit kanë shtatë fitore e 14 humbje, ndërsa mitrovicasit 12 fitore e nëntë humbje, prandaj kjo sfidë është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat.

Vëllaznimi – Bashkimi, po ashtu, është takim interesant dhe i vlefshëm, ku kuqezinjtë ndodhen në vendin e gjashtë me tetë fitore e 13 humbje, ndërsa prizrenasit janë në vendin e pestë me nëntë fitore e 12 humbje. Java e 22-të mbyllet me përballjen mes kampionit, Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit.

Therandasit numërojnë 16 fitore e pesë humbje, kurse Vreshtarët kanë dy fitore e 19 humbje, madje fitoren e parë e kishin arritur ndaj Yllit. Sidoqoftë, kampionët pas katër humbjeve kishin 15 fitore radhazi, duke u ndalur vetëm nga Trepça.

SUPERLIGA – Java 22

Të shtunën takohen:
17:00 Ponte Prizreni – Trepça
19:00 Vëllaznimi – Bashkimi

Të dielën takohen:
17:00 Peja – Sigal Prishtina
19:00 Golden Eagle Ylli – Rahoveci

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Publiku ka vendosur që banorja e cila duhet që menjëherë…