Të drejtat e njeriut sipas Kushtetutës së Kosovës

02 prill 2018 | 10:46

Shkruan: Jakup Krasniqi

Kushtetuta jonë mbase mund të ketë shumë mangësi e dobësi por, për sa iu përket të drejtave dhe lirive të njeriut, është në përputhje të plotë me standardet e botës demokratike. Është në përputhje të plotë edhe për sa i përket ndarjes së pushteteve dhe përgjegjësive të tyre edhe në raport me të drejtat e njeriut.
Në një situatë të tillë është e domosdoshme të dihet përgjegjësia e secilit pushtet dhe bartësve të përgjegjësisë së atyre pushteteve. Pushtetet e Kosovës veç e veç dhe së bashku e kanë për detyrë kushtetuese e ligjore që ta ndriçojnë të vërtetën deri në fund.

Të drejtën e shtetasve turq me vendqëndrim në Kosovë dhe të dëbuar (ekstraduar) paligjësisht në Turqi. Atje ku jeta e të dëbuarve është më shumë se e rrezikuar. Për rastin në fjalë, veç të tjerave, janë shkelur të gjitha vlerat tradicionale të mikpritjes shqiptare. Prandaj, ndriçimi i këtij rasti është domosdoshmëri. Pse? Sepse bindja ime është se në rastin e rrëmbimit ilegal dhe deportimit të shtetasve turq me leje qëndrimi në Kosovë, është bërë një shkelje zinxhirore e të drejtave kushtetuese e ligjore të njeriut, është shkelur çdo standard i këtyre të drejtave, është bërë shkelja e të drejtave dhe obligimeve të pushteteve të ndryshme kushtetuese, është bërë shkelja e sovranitetit të institucioneve kushtetuese të shtetit dhe vetë sovraniteti i shtetit nga institucioni, që i pari do të duhej ta jepte alarmin (AKI-ja) për dëmin që mund t’i bëhej vendit. Kjo e fundit me kushtetutë ka qenë e obliguar t’i informojë dy instancat më të larta të shtetit, Kryeministrin dhe Presidentin.

Nëse nuk janë informuar këto dy instanca, e përsëris, Kryeministri dhe Presidenti, shkelja e Kushtetutës është tepër e rëndë dhe përgjegjësia politike nuk mund të ndalet te dy individë, të cilët kanë përgjegjësi penale të një niveli të lartë. Ndaj përgjegjësia politike, në rastin në fjalë, është edhe atyre që me lehtësi i veshin me përgjegjësi të nivelit të lartë njerëzit e pandërgjegjshëm, njerëzit që fare nuk e duan shtetin e tyre, por që marrin përgjegjësi vetëm për kusari. Ata që i kanë bërë këto emërime nuk duhet vetëm të skuqen. Ata duhet të kenë moral ta pranojnë përgjegjësinë e tyre edhe nëse është vetëm përgjegjësi morale por, si duket, ata dhe morali janë tepër larg.

Në vazhdim le ta shohim se cilat nene të Kushtetutës së Kosovës janë shkelur. Do theksuar se jo vetëm në veprimin e fundit janë shkelur këto nene. Është shkelur neni 2 i Kushtetutës, paragrafi 1 dhe 2. Është vazhduar shkelja e nenit 3, sidomos paragrafi 2. Ka vazhduar shkelja e nenit 4, ku flitet për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushteteve, sidomos paragrafët 4, 5, 6 e 7 të nenit në fjalë. Pastaj neni 7 (vlerat), sidomos paragrafi 1. Në mënyrë më të veçantë janë shkelur liritë e të drejtat themelore të njeriut të parapara në Kapitullin II të Kushtetutës e sidomos nenet 21, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 28, 29, 30, 31, etj. Pastaj janë shkelur edhe nenet 53, 54 e 55. Siç po shihet, janë shkelur të gjitha të drejtat e njeriut të përshkruara në nenet e cekura.
S

igurisht se ka edhe shkelje të tjera, por edhe këto që u cekën janë të mjaftueshme që të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi kushtetuese e ligjore duhet të veprojnë me përgjegjësi e profesionalizëm. Ndriçimin e kësaj vepre duhet ta fillojnë hetuesia dhe Prokuroria e shtetit për ta përfunduar gjyqësori i vendit.

Një gjë është më shumë se e qartë, përgjegjësia nuk është vetëm e atyre individëve që janë apostrofuar deri më tani, përgjegjësia jo vetëm morale duhet të shtrihet kudo që është ajo. Mediet turke, sipas informacioneve që kanë marrë nga shteti turk, veç të tjerave, po i apostrofojnë edhe Ministrinë e Jashtme dhe atë të Drejtësisë. Nëse është kështu, rasti i kidnapimit të qytetarëve turq me detyra edukativo-arsimore duhet të jenë përgatitur në fshehtësi dhe një kohë të gjatë. Kjo kërkon ndriçim të domosdoshëm e të gjithanshëm.

Pasi të ndriçohet ky rast i paprecedentë për botën demokratike, politika jonë duhet të ketë vullnetin e përbashkët për të gjetur rrugën e duhur për të ecur tutje, krejt ndryshe nga kjo e deritashmja. Nuk mendoj që duhet të shkojmë me nguti në zgjedhje të reja, e aq më pak me kërkesën e atyre që duhet ta ndiejnë një përgjegjësi për një zgjedhje të bërë në legjislaturën e kaluar, një zgjedhje më shumë sesa të gabuar. Për atë zgjedhje që ata e bënë atëherë me votat e tyre, qytetarëve të Kosovës duhet që t’ju kërkojnë falje publikisht. Është e qartë, ndryshimi vetëm në qeveri, edhe po të ndodhte nuk është zgjidhja e problemit!

E shoh si të domosdoshme që në shoqërinë tonë të fillojë një debat përmbajtjesor që i mbyll njëherë e mirë këto skandale të përsëritshme, së paku, ato që kanë ndodhur nga 20 dhjetori i vitit 2017 dhe vendit t’i jepet një drejtim i ri edhe në përmbajtje. Përndryshe, këto gjëra që po ndodhin në vendin tonë nuk janë vetëm defekte, se defekte ka në çdo shoqëri të organizuar! Jo, këto veprime nuk janë defekte. Janë veprime mirë të organizuara, të planifikuara e të përfunduara. Janë veprime të turpshme dhe rrënuese për shtetin. Vepra, as më shumë e as më pak, është krim i organizuar dhe shkelje e rëndë e Kushtetutës. Quani si të doni, ndaqi “defekt”, ndaqi “rast të izoluar”. Pasojat do të jenë afatgjata, por duhet të punojmë shumë në përmirësimin e tyre.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, e ka…