Të dyshuarve për vrasjen e vëllezërve Maloku u caktohet masa e ndalimit 48 orë
Me urdhër të prokurorit të shtetit dy të dyshuarve për vrasjen e dy vëllezërve Maloku nga fshati Plloqicë i Komunës së Malishevës u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Kështu ka thënë zëdhënësja e policisë në rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj.
Dy vëllezërit, Shani e Bahri Maloku, 44 dhe 33 vjeç nga fshati Plloqicë i komunës së Malishevës u vranë mbrëmë me një breshëri plumbash në oborrin e shtëpisë së tyre.
Ndërkaq, ngjarja tragjike në shtëpinë e familjes Maloku kishte ndodhur kur familjarët e kishin kuptuar që brenda oborrit të tyre kishin hyrë disa persona të panjohur për të vjedhur.
Nën kërcënimin e armës, njëri nga familjarët që kishte dalë jashtë kishte bërtitur për t’i lajmëruar të afërmit, ndërsa vrasja kishte ndodhur kur dy viktimat ishin afër për t’i kapur kriminelët.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1 pas mesnate, ndërsa njëri nga të vrarët, Shani Maloku, ishte pjesëtar i FSK-së, ndërsa familjarët thonë që nuk kanë pasur konflikt me askënd./Telegrafi/