Të enjten Kuvendi mblidhet në seancë plenare
Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kryesia e Kuvendit mbajti të hënën mbledhjen e radhës, së bashku me kryetarë të grupeve parlamentare.
Kryesia vendosi që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të enjten, më 25 prill, në orën 10:00, në të cilën do të shqyrtohen një varg projektligjesh që kanë të bëjnë kryesisht me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe për çështje të tjera të parapara në rend dite.
Në këtë mbledhje të Kryesisë, kryetari Glauk Konjufca përgëzoi delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për rolin proaktiv dhe kontributin në procesin e votimit të suksesshëm të aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kryesuesja e këtij delegacioni, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, Saranda Bogujevci, vlerësoi lart rolin e secilit pjesëmarrës, duke e konsideruar shumë të suksesshëm angazhimin dhe punën e përbashkët përgjatë gjithë këtij procesi.
Në vijim Kryesia, konform kompentencave të saj, shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kuvendit.