Të enjten mbahet seanca plenare e radhës
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e paraparë për të martën nuk është mbajtur në mungesë të kuorumit.
Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në bazë të vendimit të Kryesisë të mbledhjes së kaluar, konform kompetencave të tij kushtetuese dhe në konsultim me kryetarët e grupeve parlamentare, vendosi që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të enjten, në orën 10:00.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në këtë seancë deputetët pritet të votojnë në parim Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, Projektligjin për mbështetjen e punëve publike, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë.
Në lexim të dytë ndërkaq, pritet të votohet Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Pikë e radhës e rendit të ditës do të jetë votimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”, për të vijuar me shqyrtimin e Propozim-rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual.
Seanca do t’u kthehet serish projektligjeve, për të shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë Covid-19, si dhe atë për vlerësimin e ndikimit në mjedis.
Punimet e seancës plenare do të vazhdojnë me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit të Përgjithshëm, për raportin vjetor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimin e raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021, propozimin e GP “Multietnik” dhe GP të LV-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, për të përfunduar me formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.