Të enjten mblidhet Kuvendi, diskutohet edhe për dialogun me Serbinë
Më 24 shkurt Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare. Në seancë pritet të diskutohet edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Kështu ka bërë me dije shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ajo ka thënë se në këtë seancë do të diskutohet edhe për ratifikimin e marrëveshjeve për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë dhe për projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe këshillit të ministrave të Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore.
Po ashtu, Kusari-Lika ka thënë se në këtë seancë do të bëhet shqyrtimi i dytë të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shitjen e banesave, shqyrtimi i parë i Projektligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, shqyrtim i parë i Projekt-kodit civil dhe formimi i një komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e një kandidati për bordin e RTK-së nga radhët e komuniteteve të tjera jo shumicë.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qeveria duhet të qartësojë raportin e saj në dialogun me Serbinë.