Të enjten raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi
Të enjten do të jetë raundi i ri i bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Edhe kësaj radhe, takimi do të jetë ne nivelin e kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqi. Ende nuk dihet nëse të njëjtit do të kenë një takim trepalësh. Analistët politik thonë se nuk presin asgjë të re.
Të enjten, krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të udhëtojnë drejt kryeqendrës evropiane.
Me ftesë të Bashkimit Evropian, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqi do të bisedojnë për raundin e ri të dialogut në mes dy vendeve.
Por, ende nuk dihet nëse do të ketë takim në katër sy atje.
Pasi takimi trepalësh mund të zhvillohet nga disponimi që kanë Kosova dhe Serbia në takimet e ndara me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.
Mirëpo njohësi i zhvillimeve politike, Adrian Çollaku nuk pret që të ketë një takim të këtij formati.
Takimi i fundit në mes kryenegaciatorëve të Kosovës dhe Serbisë u mbajt më 17 shtator.
Bislimi dhe Petkoviqi nuk patën takim trepalësh por vetëm të ndarë me emisarin Lajcak.
Para takimit në Bruksel, emisari Miroslav Lajçak ka thënë se është koha për të filluar zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.